Italia po përballet me një përhapje në rritje të virusit të Nilit Perëndimor, me 9 viktima të konfirmuara deri më tani, 4 prej të cilave vetëm në rajonin e Kampanias. Viktima e fundit është një 76-vjeçar nga Salerno, i cili qëndronte në një azil për të moshuar në Grazzanise. Një tjetër viktimë, një 73-vjeçar nga Maddaloni, ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spitalin e Casertës.
Dy raste të reja infeksioni janë regjistruar edhe në Lombardi, përkatësisht një grua 38-vjeçare në Milano dhe një 66-vjeçare në Pavia, kjo e fundit e shtruar në spital. Rajoni ka aktivizuar një sistem të integruar mbikëqyrjeje me autoritetet lokale dhe institucionet shëndetësore.
Përballë situatës së krijuar, presidenti i Rajonit të Lazios, Francesco Rocca, ka nënshkruar një urdhëresë urgjente për dezinfektimin sistematik dhe kontrollin e vektorëve (mushkonjave), duke vendosur në dispozicion një milion euro për komunat.
Ekspertët theksojnë se mushkonjat janë vektorët kryesorë të virusit dhe rreziku është më i madh për të moshuarit e po ashtu, personat me probleme shëndetësore. Ndër të tjera, ata paralajmërojnë edhe mbi mundësinë e transmetimit të mundshëm të virusit nga mushkonjat femra te vezët dhe larvat e tyre, duke shtuar nevojën për rehabilitimin e tokës e kontrollin e zogjve të egër, si rezervuarë natyralë të virusit.
Ndërkohë, Fiaso (Federata Italiane e Autoriteteve të Kujdesit Shëndetësor dhe Spitalore) ka aktivizuar rrjetin e spitaleve roje për monitorimin e hershëm dhe të koordinuar të rasteve. Presidenti i saj, Giovanni Migliore, thekson rëndësinë e përgjigjes së shpejtë dhe përdorimit të infrastrukturës ekzistuese, siç u veprua gjatë pandemisë COVID-19.
Dhurimet e gjakut mbahen nën kontroll të rreptë në provincat ku virusi është konfirmuar e ku tani po kryhen teste specifike në qeset e gjakut. Në zonat ku virusi nuk është zbuluar, nëse testimi nuk kërkohet, dhuruesit duhet të abstenojnë për 28 ditë nëse kanë qenë në zona me rrezik të lartë.
Institucionet po bëjnë thirrje për qetësi, me Presidentin Rajonal të Kampanjës, Vincenzo De Luca, i cili siguron se “nuk ka emergjencë”, megjithëse sipas tij “paaftësia e udhëheqësve të Ministrisë së Shëndetësisë është shqetësuese”. Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Mirëqenies Rajonale në Lombardi, Mario Melazzini, e përshkruan situatën si “absolutisht nën kontroll”.