Bota

Rusia godet Kievin me sulmin më të madh ajror që nga fillimi i luftës!

Valë sulmesh me dronë dhe raketa goditën Kievin, në atë që konsiderohet si sulmi ajror më i madh që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, duke lënë të plagosur 23 persona dhe duke shkaktuar dëme në disa rajone të kryeqytetit ukrainas. Forcat ajrore raportuan se gjatë natës, Rusia lëshoi gjithsej 550 dronë dhe 11 raketa në të gjithë territorin. Shumica ishin dronë të tipit Shahed.

Gazetarët e Associated Press në Kiev deklaruan se dëgjuan zhurmën e pandërprerë të dronëve mbi qytet, shpërthime të fuqishme e të shtëna intensive armësh ndërsa forcat ukrainase përpiqeshin të zmbrapsnin sulmin ajror. Sipas kryetarit të bashkisë Kiev, Vitali Klitschko, mes të paktën 23 personave të plagosur, 14 prej tyre janë të shtruar në spital.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës raportoi se rrëzoi 270 objektiva, përfshirë dy raketa lundruese. Ndërkohë, 208 objektiva të tjerë u zhdukën nga radarët dhe dyshohet se janë penguar përmes ndërhyrjeve elektronike. Rusia goditi me sukses tetë zona, duke përdorur nëntë raketa e 63 dronë. Mbetjet nga dronët e rrëzuar ranë në të paktën 33 pika në qytet.

Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me homologun rus Vladimir Putin e dha komentet e para publike për vendimin e administratës së tij për të pezulluar disa dërgesa armësh për Ukrainën.

Ky vendim përfshin municione si raketat Patriot, raketat ajër-ajër AIM-7 Sparrow dhe raketat më të shkurtra Stinger, të cilat janë të domosdoshme për të ndaluar raketat e dronët që vijnë nga Rusia, si dhe për të rrëzuar avionët rusë.

Kanë kaluar më pak se shtatë ditë nga sulmi ajror më i madh i mëparshëm i Rusisë gjatë luftës. Forcat ajrore të Ukrainës kishin raportuar se Moska kishte lëshuar 537 dronë, mjete mashtruese e 60 raketa në atë sulm. Shërbimet emergjente raportuan dëme në të paktën pesë nga dhjetë distriktet e kryeqytetit.