Sulmi më i madh ajror i Rusisë në Ukrainë, që prej nisjes së luftës në shkurt 2022, i vuri zjarrin ndërtesës kryesore të qeverisë ukrainase në Kiev dhe shkaktoi vdekjen e tre personave, përfshirë një foshnjë, trupin e së cilës e nxorën nga rrënojat, siç raportuan sot zyrtarët ukrainas.
Për herë të parë është dëmtuar selia qeveritare nga sulmet e armikut, tarraca dhe katet e larta, njoftoi kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, përmes një postimi në Telegram. Ekipet e shpëtimit shuan zjarrin.
Dëshmitarët treguan se katet e larta të godinës së qeverisë u dogjën dhe në ajër u pa tym i madh pak pas lindjes së diellit. Forca ajrore e Ukrainës bëri të ditur se orët e fundit, Rusia sulmoi me 805 dronë dhe 13 raketa.
Mbrojtja ukrainase rrëzoi 751 dronë dhe 4 raketa.
Ky është numri i madh i dronëve të hedhur nga Rusia prej nisjes së luftës, në mbi tre vjet e gjysmë. Timur Tkachenko, shef i administratës ushtarake në Kiev, tha se trupi i foshnjës u nxor nga rrënojat në rajonin Darnitski, ku u dëmtua një objekt katërkatësh banimi.
Edhe një grua e re gjeti vdekjen si pasojë e sulmit.
Zyrtarë nga ekipi i emergjencave thanë se 18 persona mbetën të plagosur në sulmin e kryer në orët e para të mëngjesit. Moska zyrtare nuk i ka komentuar zhvillimet e fundit. Rusia e mohon se shënjestron civilët në sulme, por janë me mijëra persona që kanë vdekur prej nisjes së luftës.
Svyrydenko bëri thirrje për më shumë armë për Ukrainën dhe që bota të përgjigjet ndaj sulmeve ruse.
Ne do t’i rindërtojmë banesat, u shpreh kryeministrja ukrainase. Por, jetët e njerëzve nuk mund të kthehen. Armiku po terrorizon dhe vret njerëzit tanë çdo ditë.
Për pasoja nga bombardimet u raportua edhe në qytete të tjera ukrainase, përfshirë Kremençukun, Krivi Rihun e Odesën. Me rritjen e numrit të sulmeve në perëndim të Ukrainës, Polonia aktivizoi avionët e saj për të garantuar sigurinë, siç edhe bëri të ditur komanda operacionale e ushtrisë polake.