Rusia nuk ndalet duke vazhduar bombardimet vdekjeprurëse mbi qytetet ukrainase dhe vrau të paktën tre vetë në rajonin e Harkivit. Sulmet u kryen teksa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po përgatitet për ndalesën e radhës në turin e tij në kryeqytetet europiane, për të gjetur më shumë mbështetje.
Shërbimet e Emergjencës së Ukrainës raportuan se tre njerëz u vranë dhe të paktën 13 u plagosën, përfshirë katër fëmijë. Moska goditi qytetin lindor Balaklia, një nyje e rëndësishme hekurudhore në rajonin e Harkivit.
Balaklia u pushtua nga forcat ruse menjëherë pasi Moska nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, në shkurt të viti 2022, por u rimor nga forcat ukrainase disa muaj më vonë.
Rusia i ka rritur sulmet ndaj objekteve energjetike ukrainase me afrimin e muajve të dimrit, duke shkaktuar frikë për mungesë të energjisë elektrike gjatë motit të ftohtë. Rregullisht, Moska ka goditur zonat civile ukrainase, por e mohon se shënjestron objekte të tilla.
Ndërkohë, Zelensky ka nisur një udhëtim në kryeqytete e rëndësishme europiane, në përpjekje për të siguruar furnizim me energji dhe armë për Ukrainën, vend që po përballet me ofensiva të vazhdueshme ajrore e tokësore nga Rusia.
Në Francë, pastaj në Spanjë
Zelensky sot shkon në Paris, për t’u takuar me presidentin francez, Emmanuel Macron, mbështetës i fuqishëm i Ukrainës. Takimi i parë mes tyre pritet të zhvillohet në bazën ajrore Villacoublay, jashtë kryeqytetit.
Zelensky u shpreh se “një marrëveshje e madhe me Francën” është duke u përgatitur, por mbetet e paqartë nëse gjatë kësaj vizite do të ketë një njoftim të rëndësishëm.
Partnerëve perëndimorë iu kërkon raketa shtesë, me rreze të gjatë për të goditur raketahedhësit thellë brenda Rusisë. Më parë, Franca ka premtuar të dërgojë raketa Aster me rreze të mesme për mbrojtjen e Ukrainës.
Lideri ukrainas do të udhëtojë nesër drejt Spanjës. Për të zbutur krizën energjetike të shkaktuar nga sulmet me raketa ruse, Zelensky ishte dje në Athinë ku nënshkroi një marrëveshje për të importuar gaz natyror të lëngshëm, të furnizuar nga Shtetet e Bashkuara duke filluar nga muaji i ardhshëm deri në mars 2026.
Ky veprim erdhi ndërsa Zelensky u zotua ta reformojë sektorin energjetik të vendit, i cili është përfshirë nga skandale, në përpjekje për të zbutur zemërimin pas akuzave për korrupsion të përhapur.