Jon Bon Jovi ka surprizuar ndjekësit e tij në Instagram duke publikuar kontratën e tij të parë muzikore, një dokument që sot duket thuajse i pabesueshëm për një yll botëror si ai.
Kontrata, e firmosur në vitin 1980 nga producenti Meco Monardo, lidhej me regjistrimet për një album festash të quajtur “Christmas in the Stars”, një projekt i frymëzuar nga personazhet e filmave “Star Wars” dhe “The Empire Strikes Back”, prodhuar nga RSO Records Inc.
Sipas dokumentit, Bon Jovi u pagua vetëm 180 dollarë (154 euro) dhe madje hoqi dorë nga çdo e drejtë autorësie për albumin. Për një artist që sot ka shitur mbi 130 milionë albume, shifra duket pothuajse simbolike.
Mund ta imagjinoni? Kontrata ime e parë nga viti 1980. Gjithmonë është kënaqësi ta rigjej këtë. Jam i sigurt se dikush e ka postuar diku në internet
-shkroi ai me humor në Instagram.
Albumi “Christmas in the Stars: Star Wars” u publikua në vitin 1980 dhe kishte në qendër aktorin Anthony Daniels, zërin e robotit C-3PO. Por albumi ka një vlerë të veçantë: ai përmban regjistrimin e parë profesional të vetë Bon Jovit, i cili këndoi në këngën “R2-D2 We Wish You a Merry Christmas”.
Bon Jovi ka treguar më herët në “Jimmy Kimmel Live” se si u përfshi rastësisht në projekt. Ai punonte në një studio regjistrimi, kur producenti Meco Monardo e pyeti nëse dinte të këndonte.
Mendoj se mundem
-i ishte përgjigjur ai.
Momente më vonë, ai u ftua të regjistronte vokalin, për vetëm 180 dollarë.
Edhe pse debutimi i tij i vërtetë ndodhi në një album të festave me tematikë “Star Wars”, fama e madhe do të vinte me këngën “Runaway”, të cilën ai ia dorëzoi personalisht një DJ-je në kasetë. Kënga u bë hit dhe e futi për herë të parë grupin në Top 40, duke shënuar fillimin e një karriere gjigante.
Sot, më shumë se katër dekada më vonë, Bon Jovi mbetet një nga bendet më të njohura të rokut, ende aktiv në skenë, dhe në vitin 2024 lançuan albumin e tyre të 16-të në studio.
Historia e tij e parë me 180 dollarë është një kujtesë se legjendat shpesh nisin nga hapat më modestë.