Pas një beteje të gjatë me problemet e zërit, Jon Bon Jovi është rikthyer më në fund në skenë, duke shënuar një moment të veçantë në karrierën e tij.
Rockeri legjendar, 64 vjeç, hapi turneun Forever Tour të martën mbrëma me një koncert në Madison Square Garden në New York, katër vjet pasi iu nënshtrua një operacioni delikat për riparimin e një korde vokale të dëmtuar.
Sipas revistës People, Bon Jovi dhe grupi i tij performuan për më shumë se dy orë, duke interpretuar 21 këngë nga repertori i tyre.
Ky ishte vetëm fillimi i rikthimit të tij, pasi artisti do të ngjitet edhe tetë herë të tjera në skenën e Madison Square Garden gjatë korrikut, përpara se të vazhdojë turneun në Mbretërinë e Bashkuar në muajin gusht.
Pak ditë para koncertit të parë, këngëtari ndau një mesazh emocional me ndjekësit në Instagram.
Shumë punë e palodhur dhe shumë njerëz të talentuar na ndihmuan të arrinim deri këtu. Faleminderit të gjithëve që kontribuuan në realizimin e Forever Tour. Tani është radha jonë të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë. Hajde, djem!
-shkroi ai.
Në nisje të koncertit, Bon Jovi interpretoi vargun e parë të këngës klasike të The Beatles, “With a Little Help from My Friends”, duke e lidhur atë me sfidën që ka kaluar pas operacionit.
Çfarë do të bëje nëse do të këndoja jashtë tonalitetit?
-këndoi ai, duke i dhënë vargut një domethënie krejtësisht personale.
Gjatë mbrëmjes, artisti nuk i fshehu emocionet për rikthimin para publikut.
Nuk e kisha dëgjuar zhurmën dhe entuziazmin e një publiku prej katër vitesh dhe nuk e dija nëse do ta kujtoja më se si ndihej ajo ndjesi
-u shpreh ai.
Më pas shtoi se ndihej “mirënjohës dhe i përulur nga e gjithë kjo përvojë.”
Vetëm pak javë më parë, Bon Jovi kishte folur sërish për gjendjen e zërit të tij, pasi në vitin 2024 kishte pranuar se nuk ishte i sigurt nëse do të mund të rikthehej ndonjëherë në turne pas problemeve serioze me kordat vokale.
Rikthimi në skenë shënon kështu një fitore të madhe personale dhe profesionale për një nga ikonat më të mëdha të rock-ut.