Pas suksesit të sezonit të parë, “Flet” me Ilnisa Agollin u rikthye mbrëmë në ekranin e Top Channel. “Flet” është një podkast pa filtra, i drejtpërdrejtë dhe i vërtetë. Me rrëfime të sinqerta nga të ftuarit, pa doreza dhe me deklarata të fuqishme dhe të pathëna më parë. I ftuari i parë i këtij sezoni të dytë ishte ish-kryeministri, Sali Berisha, i cili bëri një rrëfim ndryshe nga çfarë jemi mësuar të dëgjojmë.
Çfarë ju shtyu të bëheshit politikan?
Asgjë tjetër përveç dinjitetit njerëzor. Unë mjek, studiues, autor shkrimesh. Kishim një problem, tjetër flisnim me të tjerë, tjetër flisnim në privat. Jetonim në një duplicitet. Dhe këtë duplicitet, paraardhësit e mi nuk e kishin. Në diktaturë, ata ishin bujqër, por nuk i lejonin vetes të flisnin ato që nuk i besonin. Pra mund të shkonte ose jo në mbledhje, por nuk thoshte çfarë nuk besonte. Ata ishin njerëz të thjeshtë, besimtarë, ishin racionalë në konkluzionet e tyre. Ata njerëz të thjeshtë mbetën në vetën e tyre, derisa vdiqën në vitet ’80. Nuk mund të them se ata nuk kishin frymëzim, nuk kishin universitet, nuk dinin gjuhë të huaja. Por ata ruajtën identitetin. Ne nuk e ruanim, ne tjetër thonim në mbledhje, tjetër me njëri-tjetrin. Kjo është një gjë shumë prblematike. E dyta, se ç’më ishte kujtuar çështja e votës. Ne votonim çdo 4 vite dhe dilte 99% sepse të gjithë votonin siç donte diktatori. Ne edhe në errësirë kishim frikë, se kishte një dhomë të errët, por votën e hidhje aty ku nuk duhej. Dhe kjo më mërziste shumë. Por të vendosje për të dalë kundër, duhej të merrje parasysh veten tënde, por dhe fëmijët dhe bashkëshorten, ata mund të internoheshin, mund t’ua nxije jetën. Unë kam menduar shumë që Ramiz Alia mund ta ndryshonte situatën, jo vetëm unë, shumica e intelektualëve. Ramizi të krijonte përshtypjen që e komandonte Nexhmija në çdo lloj apekti. Ishin këto faktorë që më shtynë të shkruaj. Politika më ka dhënë mundësi të jashtëzakonshme të realizoj shumë gjëra, qëllime dhe ëndrra.
Ndër vite, kundërshtarët tuaj politikë, kanë pasur ndonjë aspekt të mirë?
Ke bërë një pyetje shumë të drejtë. Një politikan mund të ketë shumë virtyte dhe shumë vese, por ai shndërrohet. Është një bindje e kahershme e imja, që ai shndërrohet në fatkeqësi kombëtare nëse nuk vendos që të pranojë vullnetin e qytetarëve të tij. Merr Fatos Nanon për shembull dhe betejat e mia me të. Ai pranoi rrotacionin dhe u largua nga kryeministër dhe kryetar partie në një moshë që mund ta merrte partinë në atë kohë. Çfarëdo që mund të thonë për Fatos Nanon, ai u tregua një poltikan që në fund të fundit i qëndroi besnik një parimi më themelor.