Aktualitet Politikë

Sali Berisha njofton datën e protestës së radhës!

Kryetari demokrat, Sali Berisha njoftoi nga selia blu se protesta e radhës e Partisë Demokratike në Tiranë do të jetë në datën 22 mars kur sipas tij, e gjithë Shqipëria do të jetë në kryeqytet.

Sipas tij, protestat do të vijojnë deri në fitoren e opozitës.

Më 22 mars e gjithë Shqipëria në Tiranë e gjithë Tirana në rrugë. Vazhdojmë kryengritjen paqësore deri në fitoren vendimtare. Fitore, fitore, fitore, deklaroi Berisha nga selia e Partisë Demokratike.

Kjo protestë që përkon edhe me festën e Sulltan Novruzit, do të zhvillohet një ditë pas Asamblesë Socialiste.

Protesta e sotme e opozitës ishte më e shkurtra se çdo protestë tjetër e demokratëve e zgjati rreth 110 minuta, pak më shumë se seanca në parlament që u mbyll me rrëzimin e kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e Ballukut.

Në përgjithësi, protesta e sotme ishte e qetë, me disa incidente të vogla si heqja e gardhit metalik dhe ndezja e disa tymuesve.

Pati fjalime nga deputeti demokrat, Klevis Balliu, i përjashtuar nga seancat plenare dhe nga Ilirjana Kuçana, ndërsa u mbyll nga kreu demokrat, Sali Berisha.

Ndërsa falënderoi qytetarët, Berisha u shpreh se Rama shënoi vetëvrasjen e tij politike, pas votimit në Kuvendin e Shqipërisë.