Tech

Samsung dominon në tregun global të smartfonëve!

Një total prej 320.1 milionë smartfonësh u dërguan globalisht në tremujorin e tretë të vitit 2025, sipas raportit të fundit të Omdia. Samsung e mposht Apple, por Transsion është kompania e smartfonëve me rritjen më të shpejtë. Pas një performance të zbehtë në gjysmën e parë të vitit, rritja e lehtë në tremujorin e tretë është një sinjal rimëkëmbjeje për tregun global të smartfonëve.

Transsion duket të jetë marka që korr më shumë përfitime, pasi regjistron një rritje prej 12% nga viti në vit dhe ngjitet në vendin e katërt me 28.6 milionë njësi. Samsung është lideri i tregut, duke dërguar 60.6 milionë njësi për një pjesë të tregut prej 19%. Apple regjistron një rritje modeste prej 4% krahasuar me vitin e kaluar, me 56.5 milionë dërgesa.

Xiaomi është marka e tretë më e madhe e smartfonëve, duke dërguar 43.4 milionë njësi gjatë tremujorit për një rritje të vogël prej 1%. Pesë të parët mbyllen nga Vivo me 28.5 milionë dërgesa dhe një rritje vjetore prej 5%. Bëhet e ditur se suksesi i Samsungut është kryesisht i nxitur nga suksesi i habitshëm i modeleve Galaxy Z Fold 7 dhe Z Flip 7, si dhe Galaxy A07 dhe A17. Nga ana e Apple, iPhone 17 i tejkaloi pritjet, ndërsa interesi i vazhdueshëm për iPhone 17 Pro dhe 17 Pro Max do të ndihmojë rritjen vjetore të kompanisë. 

Samsung ka konfirmuar se seria e re Galaxy S26 do të sjellë një përvojë tërësisht të re për përdoruesit, me inteligjencë artificiale të avancuar dhe çipa të personalizuar. Gjatë raportit financiar për tremujorin e tretë, kompania njoftoi se pajisjet e reja do të përfshijnë procesorë të gjeneratës së dytë, performancë më të lartë dhe sensorë të rinj kamerash. Zëvendëspresidenti i divizionit Mobile Experience, Daniel Araujo, tha se synimi është të “revolucionarizohet përvoja e përdoruesit” me teknologji të reja AI dhe çipa të fuqishëm. Sipas raportimeve, Exynos 2600, çipi i parë i prodhuar me teknologjinë 2nm, pritet të jetë pjesë e shumicës së modeleve S26, ndërsa në disa tregje si SHBA, Kina dhe Japonia do të përdoret Snapdragon 8 Elite Gen 6.