Rajoni

Dështon seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës!

Pas një pushimi të shkurtër, kryesuesi i seancës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari e ndërpreu këtë seancë pas mesdite, për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve.

Në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër të njoftojmë presidenten se si të veprohet në të ardhmen.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e votuan raportin e Komisionit të përkohshëm për Verifikimin e Mandateve dhe Kuorumit. Që të verifikoheshin mandatet e 120 deputetëve të zgjedhur më 9 shkurt, në bazë të listës së certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhej të ishte votuar raporti, por kjo nuk ndodhi. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit dhe ata të Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt votuan pro. Kundër ishin ata të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

52 deputetë votuan pro, 46 kundër e 11 kanë abstenuar. Në bazë të kësaj, konstatojmë se raporti i Komisionit të përkohshëm nuk kalon, u shpreh deputeti më i moshuar, Dehari si kryesues i seancës së konstituimit të parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Më herët, ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike që të konsultoheshin, duke bërë që Kuvendi të shkonte në pushim. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se nuk mund ta votonin raportin e Komisionit, duke e quajtur “jokushtetues”.

Kushtetuta e thotë qartë se nuk mund të bëhesh deputet nëse je kryeministër apo ministër. Deputetët e zgjedhur të LVV-së e që aktualisht janë pjesë e qeverisë në detyrë, duhet të japin dorëheqje sepse s’mund të mbajnë të dyja postet. Kjo mund të zgjidhej lehtë nëse ata japin dorëheqje.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, njëherazi i caktuar në Komisionin për Verifikimin e Mandateve, tha se votoi kundër raportit për shkak se e morën me vonesë dokumentacionin për dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrave.

Nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të zgjedhur deputetë.

Zemaj shtoi se nuk e përkrahën raportin e Komisionit, se siç theksoi, ekzistonte rreziku që Albin Kurti të mund të kthehej sërish në zyrën e kryeministrit, në selinë e qeverisë.

Kjo do të paraqiste shkelje kushtetuese.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, në mënyrë që të mund të bënte betimin si deputet i legjislaturës së IX-të. Dorëheqje dhanë edhe të tjerë anëtarë të qeverisë në detyrë të Kosovës e që janë zgjedhur deputetë më 9 shkurt.