Në GJKKO po zhvillohet seanca e radhës e gjyqit në themel për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 16 persona të tjerë e 12 shoqëri. I pranishëm është prokurori i çështjes, Ols Dado ndërsa mungon Altin Dumani.
Veliaj përfaqësohet nga ish-deputeti i PS-së, avokati Plarent Ndreca ndërsa vetë ka njoftuar se nuk do të jetë i pranishëm derisa sa të përfundojë së lexuari dosjen 60 mijë faqe që iu dërgua në qelinë e paraburgimit në Durrës, rreth 1 muaj më parë, 1 vit pas arrestimit.
Ndërkohë, gjykata ka kërkuar edhe prezencën e policit të burgut të Durrësit, Fatjon Baci, i cili është shoqëruar nga Policia e Burgjeve për në Gjykatën e Posaçme. Baci akuzohet se i dha telefonin e tij kryebashkiakut Veliaj gjatë një shoqërimi për në GJKKO. Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së avokatit të Bacit, Artan Simoni.