Health & Beauty

Sëmundja e mishrave të dhëmbëve mund të përkeqësojë sklerozën?!

Shkencëtarët po zbulojnë gjithnjë e më shumë prova se sëmundjet e rënda të mishrave të dhëmbëve (parodontiti) nuk ndikojnë vetëm në gojë, por mund të kenë pasoja serioze edhe për sistemin nervor qendror, përmes inflamacionit kronik. Tani, një studim i ri nga Universiteti i Hiroshimës në Japoni, i publikuar në revistën shkencore Scientific Reports, sugjeron se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes një bakteri oral dhe ashpërsisë së invaliditetit te pacientët me sklerozë multiple (MS).

Ekipi japonez zbuloi se pacientët me sklerozë multiple që kishin sasi të lartë të bakterit Fusobacterium nucleatum në gojë, një bakter i zakonshëm te sëmundjet e mishrave të dhëmbëve, kishin shumë më shpesh invaliditet të moderuar deri të rëndë. Ky invaliditet u mat me shkallën standarde EDSS (Expanded Disability Status Scale), e cila shkon nga 0 deri në 10. Pacientët me nivel të lartë të këtij bakteri kishin rreth 10 herë më shumë gjasa të kishin invaliditet të rëndë dhe 61.5% e tyre ishin në kategorinë e invaliditetit të moderuar ose të rëndë (EDSS ≥ 4), krahasuar me vetëm 18.6% te ata që kishin nivele të ulëta të këtij bakteri.

Skleroza multiple është një sëmundje kronike autoimune që dëmton mbështjellësin mbrojtës të nervave (mielinën) dhe çon në probleme serioze neurologjike, përfshirë dobësi muskulore, probleme me ecjen, çrregullime të shikimit, lodhje të rëndë dhe invaliditet progresiv. Shkaku i saktë i MS ende nuk dihet, por mendohet se luajnë rol infeksionet virale, duhanpirja, mungesa e vitaminës D dhe predispozita gjenetike. Tani, infeksionet kronike në gojë po shfaqen si një faktor i ri i mundshëm për përkeqësimin e sëmundjes.

Parodontiti është një infeksion kronik bakterial që shkakton inflamacion të vazhdueshëm në mishrat e dhëmbëve, shkatërron indin lidhës dhe kockën që mban dhëmbët dhe shpesh përfundon me humbje të dhëmbëve. Kjo sëmundje është shumë e përhapur në botë (prek rreth 40–60% të njerëzve) dhe tashmë dihet se rrit rrezikun për sëmundje të zemrës, diabet, artrit reumatoid. Profesor Masahiro Nakamori nga Spitali Universitar i Hiroshimës shpjegon: “Ndërsa mikrobiomi i zorrëve është studiuar gjerësisht te skleroza multiple, roli i mikrobiomës orale ka mbetur pothuajse i paeksploruar. Meqë goja është burim i rëndësishëm i inflamacionit kronik, kuptimi i kësaj lidhjeje mund të hapë rrugë të reja për parandalim dhe trajtim.”

Sipas profesor Hiroyuki Naito, Fusobacterium nucleatum mund të veprojë si një “bakter-urë” lidh komunitetet bakteriale në biofilmin e dhëmbëve, ndërlidh inflamacionin oral me përkeqësimin neurologjik. Edhe pasi studiuesit morën parasysh faktorë si mosha, kohëzgjatja e sëmundjes, numri i relapsave dhe tipi i sklerozës multiple, lidhja mbeti shumë e fortë. Shkencëtarët theksojnë se kujdesi për shëndetin oral mund të mos jetë vetëm çështje dhëmbësh, por edhe çështje neurologjike.