Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona të cilët i akuzon se kanë penguar qarkullimin e makinave në autostradë dhe kanë gjuajtur me sende të forta drejt autobusëve me tifozë polakë të skuadrës Jagellonia, e cila luajti një natë më parë në kryeqytet, kundër Dinamos. Gjithashtu dy të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Njoftimi i uniformave blu:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, arrestuan në flagrancë shtetasit A. M., 32 vjeç, K. S., 29 vjeç dhe Sh. S., 30 vjeç, dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur 17 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, pas mesnate, në aksin rrugor “Qafë Kashar – Rinas, kanë penguar qarkullimin e automjeteve dhe kanë gjuajtur me sende të forta, tre autobusë që transportonin tifozët e një ekipi futbolli.
Në rrjetet sociale janë publikuar pamje të tifozëve polakë që kryejnë veprime të turpshme te monumenti i Skënderbeut në qendër të Tiranës. Këto video duket se kanë shtyrë një grup tifozësh shqiptarë, të përleshen edhe fizikisht me tifozët polakë.
