Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ngriti aktakuzë për lëshimet që çuan në shembjen e një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad. Në këtë ngjarje tragjike, që ndodhi më 1 nëntor të vitit të kaluar, humbën jetën 15 persona.
Aktakuza u ngrit kundër menaxheres së zhvillimit të investimeve në kompaninë “Infrastruktura Hekurudhore e Serbisë”, Sllobodanka K., kryetarit të Komisionit për Inspektimin Teknik të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, Millutin S., si dhe anëtares së këtij komisioni, Bilana K.
Aktakuza u ngrit në lidhje me kryerjen e veprave penale me elemente korruptive, të cilat kanë rezultuar me shembjen e strehës, siç bëri të ditur kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike, Nenad Stefanoviç.
Ai tha se ka dyshime të arsyeshme se lëshimet e tyre, lidhen me shkakun e tragjedisë. Siç edhe dihet, që kur ndodhi ajo ngjarje, studentët në Serbi kanë organizuar protesta dhe bllokada masive në disa qytete të vendit, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe po ashtu, politike për rastin.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç ka dhënë dorëheqje, ashtu si edhe kryebashkiaku i Novi Sadit, Milan Gjuriç. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç vuri në dukje se kërkesat e studentëve janë plotësuar, por protestat e tyre vazhdojnë dhe nuk ndalen.
Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.
Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve në Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.
Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.