Rajoni

Serbia hetim akuzave nga Rusia se furnizoi Ukrainën me armë!

Serbia dhe Rusia do ta kryejnë hetim të përbashkët për atë se si municionet e prodhuara nga Serbia arritën në Ukrainë”, njoftoi presidenti serb Aleksander Vuçiç. Një ditë më parë, Moska akuzoi Beogradin për furnizimin e Kievit me armë. Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) e akuzoi Beogradin për “thikë pas shpine”, duke thënë se prodhuesit serbë të armatimit po shisnin municione dhe armë në Ukrainë.

Ato [shitjet e armëve] kanë një qëllim të qartë, të vrasin dhe plagosin personelin ushtarak rus e popullsinë civile, thuhet në një komunikatë të SVR-së, të publikuar dje në faqen e saj zyrtare.

SVR-ja pretendoi se Serbia dërgon armë në Ukrainë përmes ndërmjetësve të NATO-s, duke përfshirë Republikën Çeke, Poloninë e Bullgarinë, si dhe disa vende afrikane. Serbia vazhdon të ruajë një baraspeshë midis lidhjeve historike me Rusinë dhe Bashkimin Europian.

Beogradi e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, por deri më tani nuk ka pranuar t’i bashkohet Perëndimit në sanksionimin e Moskës. Vuçiç i tha televizionit shtetëror, RTS, se kishte biseduar për eksportet e armëve serbe në Ukrainë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës në Moskë më 9 maj dhe i mohoi disa prej akuzave të SVR-së.

Ne kemi krijuar një grup pune, së bashku me partnerët rusë, për t’i zbuluar faktet. Disa nga gjërat që janë thënë nuk janë të vërteta.

Sipas një dokumenti të klasifikuar të Pentagonit, Serbia në vitin 2023 pati rënë dakord ta furnizonte me armë Kievin, pavarësisht se deklarohej si neutrale ushtarakisht. Moska e ka kritikuar disa herë Beogradin për këtë çështje.

Industria e mbrojtjes e Serbisë prodhon armë dhe municione që kryesisht rrjedhin nga teknologjia ushtarake sovjetike e viteve ‘80, të ngjashme me ato që përdoren si nga Ukraina, ashtu edhe nga Rusia.

Fabrikat tona duhet patjetër të jetojnë dhe të punojnë. Rreth 24 mijë njerëz punojnë drejtpërdrejt në industrinë e mbrojtjes, vuri në dukje Vuçiç.

Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, por Rusia, një aleate sllave dhe ortodokse, mbetet furnizuesja më e madhe e gazit për vendin dhe rafineria e vetme e naftës në Serbi është në pronësi pothuajse të plotë të Gazpromit e Gazprom Neftit rus.