Sport

Sezoni 2025-2026/ Situata në Kategorinë e Parë, vetëm dy trajnerë zyrtarisht të konfirmuar!

Mbyllja e shpejtë e sezonit 2024-2025, ku dihet që kampionati i rregullt përfundoi me 20 prill, pritet të lerë pasoja të mëdha te klubet e këtij niveli. Thuhet kështu, pasi pushimi veror në mes dy edicioneve pritet të jetë shumë më i gjatë se zakonisht, rreth 4 muaj. Padyshim kjo lë pasoja jo vetëm në aspektin financiar të lojtarëve dhe trajnerëve, por edhe në regjimin sportiv të sportistëve.

Ky pushim i gjatë ka bërë që për rreth dy muaj klubet të futen në letargji, duke mos e ditur se kush do të jetë fytyra e skuadrave të sezonit të ri. Pasqyrimi më i mirë i kësaj situate lidhet me “timonierët” e skuadrave. Për momentin në kategorinë e parë kemi zyrtarisht vetëm dy klube me trajnerë të konfirmuar. Iliria ka qenë klubi i parë që publikuar rinovimin me trajnerin Dritan Smajli.

Më pas ka qenë radha e Lushnjës, për të konfirmuar në krye të stolit trajnerin Erion Xhafa. Zyrtarisht, këto janë klubet e vetme që e kanë bërë publike të ardhmen e stolit. Në këtë njësi mund të futet edhe Skënderbeu, pasi drejtori sportiv i korçarëve, Ardi Gjançi, për “Panorama Sport” deklaroi se Ernest Gjoka do të vijojë punën në krye të ekipit edhe në Kategorinë e Parë. Thuajse i konfirmuar, edhe pse jo publikisht, është edhe trajneri Ardian Mema në krye të Pogradecit.

Nën kontratë- Nga 12 skuadrat që do të marrin pjesë në sezonin 2025-2026 në Kategorinë e Parë, ka edhe klube që mendohet se trajnerët i kanë nën kontratë edhe për edicionin në vazhdim, por askush nuk mund të flasë me 100% për fatin e tyre. Në këtë grup bëjnë pjesë trajneri Emiljano Çela i Besës, Ditmar Bicaj i Burrelit, Alfred Deliallisi i Korabit apo dhe trajneri i Kukësit, Fatjon Tafaj. E ardhmja e këtyre trajnerëve do të shihet më qartë kur skuadrat të nisin punën për sezonin e ri futbollistik.

Pa trajner- Laçi, Apolonia, Luftëtari dhe Kastrioti janë zyrtarisht klubet e së Parës pa trajnerë. Klevis Hima, pasi i siguroi mbijetesën Kastriotit me ndeshje shtesë, deklaroi se misioni i tij me krutanët u mbyll, duke lënë të kuptohet se pankina e Kastriotit mbetet bosh.  Pas zbritjes nga Superiorja, trajneri Françesko Moriero dha dorëheqjen nga Laçi. Ndërsa trajneri Matias Tatanjelo nuk pranoi kushtet e drejtuesve fierakë për të rinovuar me Apoloninë. Edhe Luftëtari është vënë në kërkim të trajnerit pas sigurimit të biletës për në Kategorinë e Parë dhe më i lakuari është Artan Mërgjyshi.