Një konferencë u mbajt së fundmi në Seul me rastin e sezonit të dytë të ardhshëm të serialit hit të Netflix “Squid Game”. Konferenca u mbajt në Dongdaemun Design Plaza dhe përveç disa aktorëve kryesorë, u shfaq edhe krijuesi i këtij projekti. Sidoqoftë, Hwang Dong-hyuk nuk u fokusua në serialin në konferencë. Përkatësisht, ai vendosi të tërheqë vëmendjen për gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur pak ditë më parë nga presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol.
“Ka trazira politike që po ndodhin në Kore dhe unë jam këtu me zemër të thyer. Mendoj se është fatale që seriali po del në këtë kohë. Sezoni 2 tërheq shumë paralele me atë që po dëshmojmë në botën reale tani”-tha ai. Koreja e Jugut ka qenë shumë e tensionuar. Yoon Suk-yeol hoqi gjendjen e shpallur të jashtëzakonshme pas vetëm gjashtë orësh pasi parlamenti anuloi vendimin e tij. Të shtunën u zhvilluan protesta para parlamentit, në të njëjtën kohë me mbledhjen e deputetëve për shkarkimin e presidentit. “Shpresoj që ne të mund të kthehemi në njëfarë normaliteti dhe që populli korean të mund të shijojë sezonin e festave ndërsa viti po i afrohet fundit, njerëzit e meritojnë këtë”-përfundoi Hwang Dong-hyuk.
Rikujtojmë se Hwang Dong-hyuk, ka rrëfyer një anë të errët të përvojës së tij pas suksesit të papritur të serialit. Ai ka zbuluar se gjatë xhirimeve të sezonit të parë humbi tetë ose nëntë dhëmbë për shkak të stresit të jashtëzakonshëm që përjetoi. Në një intervistë për BBC, Hwang tregoi se periudha e produksionit ishte shumë e vështirë dhe, pas korrigjimit të tij për numrin e dhëmbëve të humbur, theksoi se ngarkesa emocionale ishte e papërballueshme. Sot, ai po punon për sezonin e dytë të “Squid Game”, por nuk kishte planifikuar një vazhdim në fillim.