Lajmet e fundit

SHBA dhe Kina ulin reciprokisht tarifat pas bisedimeve në Gjenevë!

SHBA-ja dhe Kina njoftuan së bashku një ulje të tarifave të tyre reciproke, pas bisedimeve në Gjenevë.

”Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të ulin tarifat e tyre ndëshkuese reciproke me 115 pikë përqindje”, tha sot sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

”Gjatë një pauze 90-ditore, të dyja palët do të negociojnë”, tha ndërkohë Jamieson Greer, përfaqësuesi amerikan i Departamentit të Tregtisë.

“Niveli i tarifave tani është 145%, nuk mund të shkojë më lart se kaq, pra, ne e dimë se do të bjerë”, tha Trump, duke iu referuar taksave të reja të importit të vendosura Kinës pas rikthimit të tij në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan i bëri këto komente gjatë një eventi ku u njoftua arritja e një marrëveshjeje për tarifat me Mbretërinë e Bashkuar. Takimi në Zvicër këtë fundjavë është sinjali më i fortë se Washingtoni dhe Pekini janë gati për të zbutur luftën tregtare që ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në tregjet e aksioneve.

 “Unë mendoj se ka për të qenë një takim shumë miqësor. Kam përshtypjen që ata presin me padurim t`i ulin tensionet në një mënyrë mjaft elegante”, shtoi ai.

Zëvendësministri i Jashtëm kinez Hua Chunying u shpreh se Pekini ka “besim të plotë” në aftësinë e tij për të menaxhuar çështjet tregtare me SHBA. Ekspertët sakaq shpjegojnë se të dyja palët në fakt janë “nën presion ekonomik në rritje”, dhe zbutja e situatës, sipas tyre, u vjen përshtat si SHBA-së, ashtu edhe Kinës.

Edhe pse bisedimet konsiderohen një hap i parë i rëndësishëm drejt zbutjes së tensioneve, analistët paralajmërojnë se ato mund të jenë të gjata e të vështira.