Aktualitet

3 të plagosur në Elbasan, autori i maskuar me paruke/Mes të lënduarve, kamarieri 19-vjeçar!

Detaje nga plagosja e trefishtë e një nate më parë në Elbasan, në verandën e një lokali në lagjen “Vullnetari” ose e njohur ndryshe si “Banesa”. I veshur me xhup dhe i maskuar me paruke, autori ende i paidentifikuar, hapi 7 herë zjarr me pistoletë.

Për pasojë u plagosën Renaldo Mançe, 31 vjeç, Armand Tomorrica, 32, si dhe kamarieri i lokalit, Bjorgi Hoxha, 19 vjeç. I riu u kap aksidentalisht nga plumbat. Të tre ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Në momentin e sulmit, brenda lokalit gjendej një oficer policie jashtë shërbimit. Kur dëgjoi të shtënat, u vu në ndjekje të autorit, i cili gjatë arratisjes hodhi pistoletën në tokë dhe u largua.

Policia ka rrethuar zonën dhe vijon kontrollet për kapjen e tij. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Deri tani, në vendin e atentatit janë gjetur 6 gëzhoja dhe vijojnë hetimet.