Termi “elektrolite” është bërë mjaft popullor në botën e fitnesit dhe shëndetit. Ekspertja Bindiya Gandhi shpjegon se elektrolitet janë një grup mineralesh thelbësore me një ngarkesë elektrike që trupi prodhon ose merr nga ushqimi dhe pijet. Kalciumi, magnezi, kaliumi, fosfatet, kloruret dhe natriumi janë të gjitha elektrolite të rëndësishme. Sipas saj, elektrolitet janë çelësi për ruajtjen e shëndetit të trupit dhe mendjes sepse ato “ruajnë ekuilibrin e lëngjeve, rregullojnë pH-në e gjakut, mundësojnë funksionimin normal të muskujve, nervave, qelizave të zemrës dhe trurit, ndihmojnë në transportimin e lëndëve ushqyese në qeliza dhe nxjerrin toksinat prej tyre”. Funksioni i tyre shkon përtej rikthimit të energjisë pas stërvitjes. Ashtu siç trupi jep sinjale kur i mungojnë proteinat, fibrat ose ndonjë makro ose mikronutrient, ai gjithashtu ju paralajmëron kur i mungojnë elektrolitet.
Elektrolitet janë thelbësore për funksionimin e duhur të muskujve. Nëse ndiheni të dobët ose keni ngërçe në muskuj, dietologu Dan Gallagher thekson se trupi juaj ndoshta ka mungesë të këtyre lëndëve ushqyese thelbësore. “Gjatë aktivitetit fizik, trupi i përdor rezervat e elektroliteve, kështu që është e rëndësishme t’i kompensoni ato rregullisht”-shpjegon Gallagher. Nëse ndiheni keq, të irritueshëm ose të hutuar mendërisht, është e mundur që shkaku të jetë një çekuilibër i elektroliteve.
Dietologia Susan Shacter paralajmëron se mungesa e elektroliteve mund të ndikojë në funksionimin e trurit, gjë që manifestohet me ndryshime në humor, nervozizëm ose konfuzion konjitiv. Nëse ndieni të përziera ose keni probleme me stomakun, dietologia Elen Landes thekson se kjo mund të jetë gjithashtu një shenjë e mungesës së elektroliteve. “Shumë vrapues me të cilët kam punuar janë ankuar për të përziera në fund të një vrapimi ose menjëherë pas tij. Ne shtuam më shumë natrium para, gjatë dhe pas vrapimit për të lehtësuar simptomat”- shpjegoi ajo.
Në raste më serioze të mungesës së elektroliteve, mund të ndodhë hiponatremia, një gjendje kur niveli i natriumit në trup është shumë i ulët. Landes shpjegon se kjo mund të ndodhë kur një person pi shumë lëngje, por nuk e zëvendëson natriumin e humbur nëpërmjet djersës. Hiponatremia është një gjendje e rëndë mjekësore që mund të shkaktojë letargji, konfuzion, të përziera, dobësi muskulore dhe në raste të rënda, vdekje.