Festa e derbit nuk ka zgjatur shumë te Partizani, pasi skuadra ka zbritur menjëherë në fushë për të përgatitur ndeshjen e së martës ndaj Kukësit në stadiumin “Kukës Arena”, duke nisur nga ora 13:30. Kjo sfidë është e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, ku Partizani vjen pas fitores ndaj Apolonisë në 1/8-at. Para kësaj ndeshjeje, të kuqtë janë në një situatë mjaft të mirë sa i përket dëmtimeve, pasi të vetmit në “pit-stop” janë Keko dhe Bytyçi. Sulmuesi pritet të kthehet për lojë në harkun e maksimumi dy javëve, ndërsa dardani, siç dihet, mungon gjatë prej operacionit në ligament. Në derbi mungoi edhe Redon Ismaili, i cili do të kthehet ndaj Kukësit. Nga sa mësohet, mesfushori ka pasur një dëmtim minimal, që e ka lënë jashtë për Tiranën, por rikthehet për Kukësin, ku pritet edhe të fitojë minuta.
Sa i përket kampionatit, Tedi Cara do të duhet ta shohë nga tribuna ndeshjen ndaj Skënderbeut në Korçë të dielën e ardhshme. Kavajasi u ndëshkua me karton të verdhë në derbin ndaj Tiranës dhe do të duhet të pushojë ndaj korçarëve. Mungesa e sulmuesit vjen pas një goli vendimtar në derbi dhe do të duhej që ai të luante për të ruajtur ritmin. Megjithatë, Cara pritet titullar nesër ndaj Kukësit, ku kërkohet të hipotekohet triumfi.