Konflikt në një zyrë zgjedhore në rrugën Ali Demi në Tiranë. Policia njofton se xhami i saj u konstatua i dëmtuar, dyshohet me sende të forta, si dhe u gjetën dy fishekë luftarakë. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt, të cilët janë larguar nga vendngjarja me një automjet. Njoftimi policor zyrtar:
Rreth orës 14:00, në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ali Demi” kishte një konflikt midis disa shtetasish, në ambientet e një zyre elektorale. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral.
Po nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak.
Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e motivit të konfliktit dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.
Mësohet se sherri ndodhi te mjediset e zyrës së PSD-së.