Aktori amerikan Shia LaBeouf ka reaguar publikisht për herë të parë pas arrestimit të tij gjatë festimeve të Mardi Gras në New Orleans, duke publikuar një mesazh të shkurtër dhe misterioz në rrjetet sociale.
Ylli 39-vjeçar postoi në platformën X vetëm dy fjalë: “Më lironi”, një deklaratë që shkaktoi reagime të shumta mes ndjekësve të tij. Disa fansa shprehën mbështetje dhe solidaritet, ndërsa të tjerë u treguan skeptikë dhe të paqartë për kuptimin e mesazhit.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, arrestimi i aktorit ndodhi pas një përleshjeje fizike në New Orleans, incident që çoi edhe në thirrjen e një ambulance në vendngjarje.
Si pasojë, ai përballet me dy akuza për dhunë të thjeshtë fizike dhe pritet të paraqitet në një seancë dëgjimore paraprake më 19 mars.
Kjo nuk është hera e parë që aktori përballet me probleme me ligjin. Në të kaluarën, ai ka pranuar publikisht vështirësitë me alkoolizmin dhe menaxhimin e zemërimit. Në vitin 2020, LaBeouf u përball me akuza për dhunë fizike dhe abuzim nga partnerja e tij e atëhershme, ndërsa vetë aktori deklaroi se kishte qenë abuziv me veten dhe me personat përreth për vite me radhë.
Pas këtyre zhvillimeve, mbetet për t’u parë se si do të vijojë çështja ligjore dhe nëse aktori do të japë sqarime të mëtejshme për incidentin e fundit.