Që prej mbrëmjes së djeshme vendi ynë është përfshirë nga moti i keq, me reshje të dendura shiu.
Në Durrës, rrugët e qytetit bregdetar janë nën pushtetin e ujit, si te Vollga duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe për këmbësorët.
Në zonën rreth stadiumit, Spitallë dhe NISH Tulla, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje.
Ndërkohë, në të gjithë qarkun e Durrësit është pezulluar procesi mësimor, ndërsa oborri i universitetit Aleksandër Moisiu është nën ‘pushtetin’ e ujit. Prani uji ka në disa biznese dhe oborre banesash në zonën e ish-Kënetës.
Në rrugën interurbane që lidh Tiranën me Durrësin, në zonën pranë karburantit në hyrje të Durrësit, ka prezencë të lartë të ujit në të dyja anët e lëvizjes, gjë që e bën të pamundur qarkullimin normal të mjeteve.
Për të shmangur trafikun dhe aksidentet, Policia Rrugore njofton se do të devijohet lëvizja si më poshtë:
Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe nga rruga Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë. Për në Durrës, kalimi bëhet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe në Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë.
Reshjet dhe prurjet e paparashikueshme nga lumenjtë anësorë kanë rritur edhe nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit.
Edhe sot vijojnë shkarkimet e ujit nga hidrocentralet e Komanit e të Vaut të Dejës.
Sipas të dhënave nga Bashkia Shkodër dhe Shtabi i Emergjencave në Prefekturë, nuk ka rrezik për përmbytje. Hidrocentrali i Fierzës ndodhet aktualisht në kuotën 280 metra, nga 296 që është kapaciteti maksimal i lejuar, duke vijuar operimin në parametra të kontrolluar.
Që prej ditës së djeshme po kryhet monitorim periodik i niveleve të lumenjve Drin e Bunë, si edhe i Liqenit të Shkodrës. Kuotat e regjistruara deri në këto momente, nuk paraqesin rrezik për përmbytje.
Në Lezhë, zonë që ka një histori të përsëritur me përmbytjet nga shirat, bashkia iu bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes!