Në Shkodër, tre persona përfunduan në spital pasi konsumuan ujë nga një shishe që ka patur acid. Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal në qendër të qytetit verior dhe në spital u paraqitën, një 41-vjeçare me djalin e saj të mitur, si edhe një kamarier i moshës 30-vjeç.
Njoftimi zyrtar:
41-vjeçarja A. Z., dhe djali i saj i mitur si dhe kamarieri i lokalit M. M., 30 vjeç përfunduan në spital pas konsumit të ujit. Shkak mendohet konsumimi i ujit të kontaminuar. Në shishen e ujit mendohet të ketë patur lëndë djegëse (acid), pasi sipas bluzave të bardha të spitalit rajonal Shkodër, pacientët kishin djegie në ezofag dhe stomak. Nënë e bir janë dërguar drejt Tiranes për shërbim më të specializuar.
Uji që kanë konsumuar rezulton të jetë nga një shishe e ambalazhuar e një kompanie private. Fillimisht e ka konsumuar djali, pastaj e ëma dhe në fund kamerieri për ta provuar. Hoteli dhe restoranti ku ata janë helmuar ndodhet ne qendër të Shkodrës.
Me udhëzimin e Prokurorisë së Rrethit Shkodër, të mbështetur nga AKU po bëhet bllokimi i subjektit. Do të jenë hetimet ato që do të zbardhin rrethanat e ngjarjes.
Po ashtu, për këtë ngjarje pati një reagim edhe nga Ujësjellësi i Shkodrës:
Ujësjellës Kanalizime Shkodër, në kuadër të transparencës dhe komunikimit me klientët e vet, sqaron opinionin publik lidhur me një lajm që është është shpërndarë minutat e fundit:
Personat nënë e bir dhe një kamarier, janë intoksikuar pasi kanë konsumuar ujë të ambalazhuar nga një kompani. Kjo konfirmohet edhe nga Prokuroria dhe AKU që bashkarisht po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
UK Shkodër siguron klientët për cilësinë e ujit, monitoruar periodikisht nga specialistë të Drejtorisë së Shendetit Publik Shkodër.