Aktualitet

Shit-blerja e votave, ambasadorja Kim: Partitë të veprojnë!

Teksa na ndajnë katër ditë nga zgjedhjet vendore, ambasadorja amerikane, Yuri Kim iu kërkon qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar. Kim u shpreh se është në dijeni të shit-blerjeve të votave dhe shpreson që autoritetet ligjzbatuese të bëjnë detyrën.

Të gjithë që kanë të drejtë për të votuar, duhet të votojnë. Gjithashtu jemi njohur me raportime për shit-blerje votash. Shpresoj që autoritetet ligjzbatuese do të bëjnë detyrën e tyre. Nëse dikush thotë se është duke blerë vota për një parti politike, kjo parti duhet të ndërmarrë veprime!

Komentet i bëri pas pjesëmarrjes në Konferencën e 110-vjetorit të Gjykatës së Lartë ku vuri në dukje se ndonëse ambasadori ndryshon, Reforma në Drejtësi dhe angazhimi amerikan për vendin tonë, nuk ndryshojnë:

Janë vendosur të gjithë mekanizmat ligjorë për të siguruar një sistem drejtësie të udhëhequr nga shteti i së drejtës. Tani është koha që zyrtarët publikë pa përjashtim, pa përjashtim të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të zbatuar plotësisht legjislacionin, në përputhje me standardet ndërkombëtare, gjykatave që janë më të forta, më të pa’anshme dhe më objektive se dje, të udhëhequra nga parimet e shtetit ligjor në çdo vendim që japin.

SHBA-të mbeten të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë ndërsa vendi ecën përpara drejt destinacionit euro-atlantik. Puna që ju të gjithë po bëni është thelbësore për këtë. E kam përmendur më herët e tashmë kanë kaluar mbi tre vite dhe fakt është se pas tre viteve është koha për një ambasador të ri.

Të gjithë kemi ndjekur procesin e zhvilluar në Uashington. Siç e kam përmendur, Reforma në Drejtësi dhe angazhimi i SHBA-ve për të mbështetur Shqipërinë, nuk ndryshojnë. Kjo nuk ndryshon, ju mund të ndryshoni ambasador, por kjo gjë nuk ka për të ndryshuar. Shpresoj që ju do të kuptoni që kur Shtetet e Bashkuara flasin për Reformën në Drejtësi, ku SHBA-të, këmbëngulin që Shqipëria të bëhet më mirë, këtë e bëjnë si një mik i sinqertë.

Gjykata e Lartë ka bërë një rrugë të gjatë në 110 vjet, pavarësisht shumë sfidave të vështira e të vazhdueshme gjatë kësaj rruge.

Refoma në Drejtësi vazhdon të prodhojë rezultate reale e të prekshme, çdo ditë. Gjykata e Lartë ka shumë gjëra për të qenë krenare, tre vite më parë, kjo gjykatë kishte vetëm një gjyqtar e sot ka 16. Siç e kam thënë shumë herë më parë, tre vakancat e mbetura duhet të plotësohen sa më shpejt të jetë e mundur me gjyqtarë që zotërojnë integritetin e profesionalizmin që kërkon ky pozicion dhe që populli shqiptar meriton.

Ende duhet të jemi më të kujdesshëm për rreziqet që shfaqen para Reformës në Drejtësi. Kundërshtarët e saj, tashmë duan që të dështojë pasi po shohin që funksionon. Ata do të donin të fshihnin veprimet e tyre korruptive e duan të jenë në gjendje të vazhdojnë të bazohen në pandëshkueshmëri. Kjo është një shenjë që siç them unë, Reforma në Drejtësi po funksionon me të vërtetë. Por, gjithashtu tregon sa e rëndësishme është që të gjithë ne bashkë, që të gjithë këtu, Gjykata e Lartë, SHBA-të, BE-ja e të gjithë organizatat partnere të qëndrojnë të përkushtuara ndaj kësaj detyre.

Themeli i Reformës në Drejtësi në Shqipëri është ndarja e gjyqësorit prej ndikimit politik. Kjo është e pamundur nëse mbizotërojnë modelet e vjetra, besimet e vjetra.