Aktualitet Politikë

Shkarkimi i Veliajt, PD-ja kërkon që kryetari të dëgjohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak!

Kryesia e Këshillit Bashkiak të Tiranës do të mblidhet më 15:00, një orë para mbledhjes së parashikuar të vetë këshillit, ku pritet të merret vendimi për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Drejtësisë Sociale, Ilir Alimehmeti, këshilltar i Partisë Demokratike, kërkoi pse nuk është futur në rend dite kërkesa e opozitës për shkarkimin e Veliajt? Gjithashtu, këshilltari tjetër demokrat, Dorian Teliti, bëri kërkesë që Erion Veliaj të dëgjohet në mbledhjen e këshillit, siç edhe kërkoi vetë kryetari i Bashkisë.

Duke folur në emër të maxhorancës, Endrit Braimllari deklaroi se është refuzuar që kërkesa e Partisë Demokratike të futet në rend dite. Sipas tij, “opozita mund ta ngrejë këtë pretendim në mbledhjen e Kryesisë së Këshillit, në orën 15:00”.

Procedurat për shkarkimin e Veliajt u nisën nga këshilltarët socialistë, pas udhëzimit të marrë nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS-së. Veliaj nuk është paraqitur në punë prej muajit shkurt të këtij viti, që kur u arrestua me urdhër të SPAK-ut. Ndaj tij rëndojnë disa akuza, si korrupsion e shpërdorim detyre.

Vetë Veliaj, nëpërmjet dy shkresave ka kërkuar të jetë i pranishëm në mbledhje, por adresa e tyre duket se nuk ishte në drejtimin e duhur. Lirinë e përkohshme, kryetari në detyrë e kërkoi pranë Këshillit Bashkiak të Tiranës e jo Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Shkresa e tij gjeti refuzimin e sekretarit të Këshillit Bashkiak, Endrit Braimllari, i cili e sugjeroi Veliajn të mbrohet jo me fjalë, por me laps e letër.

Refuzimi i Braimllarit u konsiderua si tejkalim kompetencash nga ana e Veliajt i cili nëpërmjet një shkrese tjetër, tha se “procedura që po ndiqet është antikushtetuese”. Vendimi për shkarkimin e tij duket diçka pa kthim. Krahas votave të socialistëve në këshill, edhe opozitarët janë shprehur se do të votojnë pro kërkesës. Fjalën e fundit do ta thotë Këshilli i Ministrave.

Kushtetuta përcakton se në rast shkarkimi të të zgjedhurve vendorë, i shkarkuari, në këtë rast Erion Veliaj, ka të drejtë ta ankimojë procedurën në Gjykatën Kushtetuese. Në rast se bën diçka të tillë, atëherë edhe procedura e shkarkimit duhet të kalojë filtrin kushtetues, i cili mesatarisht zgjat tre muaj, Planet e socialistëve për zgjedhje të shpejta në Tiranë, mund të shtyhen për muajt e parë të 2026-ës.