Elsa Ulliri, Flora Hajredinaj dhe Besmir Stroka janë tre gjyqtarët që do të gjykojnë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten Ajola Xoxa, si dhe të pandehurit e tjerë që nuk kërkuan gjykim të shkurtuar. Dosja u nda në dy fraksione në seancën e 27 prillit, kur gjykata vendosi të pranojë kërkesën e 11 të pandehurve, mes tyre biznesmeni Elman Abule e ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, që kërkuan gjykim të shkurtuar.
Të njëjtat kërkesa të mbrojtjes së Veliajt do t’i ribëhen treshes së re të gjyqtarëve. Zëvendësimi i masës së sigurisë “Arrest me burg”, zhvillimi i seancave live e deri te hapja e të gjitha provave të përfshira në dosje. Eshtë fjala për ato që i janë rrëzuar nga trupa gjykuese e mëparshme.
Ndërsa ka nisur shqyrtimi në themel, Veliaj nuk ka qenë i pranishëm në seancat e zhvilluara. Kreu i Bashkisë Tiranë ndodhet në paraburgim në Durrës që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar, i akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten Ajola Xoxa e disa ish-zyrtarë të bashkisë së kryeqytetit.