Mediat greke raportojnë se është sulmuar konsullata greke në qytetin ukrainas të Mariupol. Sulmi raportohet se ka ndodhur rreth orës 13:00, ndërsa deri tani raportohet për 12 persona të vdekur.
Protothema raporton se jashtë godinës ka ndodhur një shkëmbim zjarri. Mësohet se stafi i konsullatës së bashku me konsullin janë transferuar në një vend të sigurt.
Konsulli grek në Mariupol, Manolis Androulakis, mësohet se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka kontaktuar autoritetet greke përmes telefonit satelitor.
Kujtohet se prej rreth një jave shërbimet e Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë janë transferuar në godinën ku strehohej Misioni Special i Mbikëqyrjes së OSBE-së në qytet, i cili u godit nga përleshjet në rrugë mesditën e së dielës.
Në Mariupol sot ka dështuar për herë të dytë evakuimi i banorëve për shkak të sulmeve ruse. Vetëm 300 civili kanë arritur të evakuohen. Evakuimi në këtë zonë ishte planifikuar të bëhej ditën e djeshme, mirëpo ushtria ruse nuk zbatoi armëpushimin në korridoret humanitare dhe u ndërpre.
Presidenti Ukrainas, Vllodymyr Zelensky paralajmëroi se Rusia po planifikon të bombardojë Odesën. Gjatë një deklarate televizive ai shtoi se nëse një gjë e tillë do të ndodhte “do të përbënte një krim lufte…një krim historik”.