Lifestyle

Shkenca shpjegon pse “humbim mendjen” në fillim të një lidhjeje!

Dashuria është një nga ndjesitë më të forta që njerëzit përjetojnë, por ajo nuk është thjesht romantike apo poetike, është thellësisht biologjike. Kur dikush na pëlqen dhe ne fillojmë të lidhemi emocionalisht, në tru ndodh një seri reagimesh kimike që ndryshojnë mënyrën se si mendojmë, sillemi dhe madje edhe si e perceptojmë realitetin.

Sipas neuropsikologëve, faza e parë e dashurisë, ajo që shpesh quhet “faza e fluturave në stomak”, është e dominuar nga dopamina. Dopamina është neurotransmetuesi i kënaqësisë, i cili aktivizohet çdo herë që truri identifikon një “burim lumturie”. Prandaj, në këtë fazë, partneri bëhet si një shpërblim: sa më shumë kohë kalojmë me të, aq më shumë dopaminë prodhojmë, dhe aq më shumë duam ta shohim sërish.

Kjo është arsyeja përse, në fillim, njerëzit shpesh:

  • Harrojnë të hanë ose të flenë
  • Kanë energji më shumë se zakonisht
  • Ndihen sikur gjithçka është më e bukur seç është
  • Idealizojnë partnerin dhe minimizojnë të metat

Po këtu nuk mbaron. Në këtë periudhë, korteksi prefrontal, pjesa e trurit që është përgjegjëse për logjikën, analizën dhe vlerësimin racional, punon më pak. Pra, biologjikisht, ne bëhemi më pak kritikë dhe më pak realistë. Në të njëjtën kohë, aktivizohen hormonë si:

Serotonina, e cila ul ankthin dhe nxit ndjenjën e sigurisë
Oksitocina,  hormoni i afërsisë, që rritet gjatë përqafimeve dhe kontaktit fizik
Vasopresina, e lidhur me besnikërinë dhe përkushtimin
Ky kombinim krijon atë ndjesinë e fortë të lidhjes emocionale, ku partneri na duket “i veçantë” ndryshe nga të gjithë të tjerët.

Sipas studimeve, kjo fazë intensive zgjat mesatarisht 12 deri në 18 muaj. Pas kësaj, trupi kalon në dashurinë e qëndrueshme, ku lidhja nuk është më vrull emocional, por stabilitet, besim dhe ndjenjë partneriteti. Kjo është periudha që shumë çifte e përshkruajnë si “shtëpi emocionale”. Pra, nuk është e vërtetë që dashuria e vërtetë është vetëm pasion. Dashuria e vërtetë fillon pasi truri qetësohet.