Botë e Çuditshme Tech

Shkencëtarët e NASA-s zbulojnë një ‘zemër të kuqe’ në mes të akullnajës!

Gjatë viteve të fundit, NASA ka ndjekur nga afër lëvizjen e masave të akullit në Edgeøya, një ishull në juglindje të Svalbard, në Norvegji, me fokus të veçantë te akullnaja Stonebreen. Zona, e cila është kryesisht e pabanuar, karakterizohet nga sipërfaqe të gjera akulli që ndryshojnë dhe lëvizin gjatë gjithë vitit. Sipas agjencisë hapësinore amerikane, këto lëvizje periodike quhen “pulse”, ose impulse dhe përfaqësojnë përshpejtim të përkohshëm të rrjedhës së akullit.

NASA i ka paraqitur këto ndryshime me ngjyrë të kuqe në një grafik të animuar të publikuar në faqen e saj zyrtare, duke ilustruar qartë ritmin dhe intensitetin e lëvizjes së akullnajës në periudha të ndryshme. Monitorimi i vazhdueshëm i akullnajave në rajonet polare ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe dinamikën e akullit në Arktik.

Ndërkaq, sipas shpjegimeve të NASA, Toka mund të shoqërohet përkohësisht nga një objekt i vogël hapësinor që sillet rreth saj, duke krijuar idenë e një “Hëne” të dytë deri rreth vitit 2033. Bëhet fjalë për një asteroid të vogël që është kapur përkohësisht nga graviteti i Tokës. Shkencëtarët theksojnë se ky objekt nuk është një satelit natyror i vërtetë si Hëna, por një trup hapësinor që qëndron vetëm për një periudhë të kufizuar dhe më pas largohet. Ekspertët sqarojnë se fenomene të tilla ndodhin herë pas here dhe nuk paraqesin asnjë rrezik për planetin tonë.