Një studim i fundit zbuloi një lidhje midis sëmundjes kronike të veshkave, diabetit të tipit 2 dhe rritjes së rrezikut të sëmundjeve të zemrës. Njerëzit që kanë një ose të dyja gjendje mund të zhvillojnë sëmundje kardiovaskulare 8 deri në 28 vjet më herët në krahasim me njerëzit që janë të shëndetshëm. Sëmundja kronike e veshkave dhe diabeti i tipit 2 janë pjesë e të ashtuquajturës sindromë kardiovaskulare-renale-metabolike (CKD), një grup faktorësh shëndetësorë që rrisin ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe problemeve të tjera serioze me zemrën dhe enët e gjakut.
Për vite me radhë, shkencëtarët janë përpjekur të kuptojnë pse pacientët me dështim të veshkave shpesh humbin jetën si pasojë e komplikimeve të lidhura me zemrën. Tani, studiuesit thonë se kanë zbuluar një element kyç që shpjegon pse njerëzit me sëmundje kronike të veshkave kanë një rrezik kaq të lartë për insuficiencë kardiake, një zbulim që mund të ketë ndikim të madh në diagnostikimin dhe trajtimin e këtyre dy gjendjeve të shpeshta shëndetësore.
Sipas një studimi të publikuar së fundmi veshkat e dëmtuara lëshojnë grimca shumë të vogla që dëmtojnë drejtpërdrejt indin e zemrës. “Ne nisëm një mision për të kuptuar këtë komunikim mes organeve, mes veshkës dhe zemrës. Ajo që zbuluam është se ka molekula që komunikojnë nga veshka drejt zemrës”, tha Uta Erdbrugger, profesoreshë e asociuar e mjekësisë në Universitetin e Virxhinias dhe bashkautore e studimit.
Lidhja mes veshkës dhe zemrës është e njohur prej kohësh. Studimet tregojnë se sa më i avancuar të jetë dështimi i veshkave, aq më të rënda janë komplikimet kardiovaskulare. Disa vlerësime sugjerojnë se më shumë se gjysma e njerëzve me sëmundje të avancuar të veshkave zhvillojnë probleme me zemrën, raportoi Washington Post.
Janani Rangaswami, nefrologe dhe profesoreshë e mjekësisë në Universitetin George Washington, e cila nuk ishte e përfshirë në studim, shpjegon se dështimi i zemrës dhe sëmundja e veshkave janë kushte shumë të ndërlidhura. Sipas saj, pothuajse një në dy persona me insuficiencë kardiake ka edhe një formë të dëmtimit të funksionit të veshkave. Dështimi i veshkave shkakton mbajtje të lëngjeve në trup, duke rritur ngarkesën mbi muskulin e zemrës. Ai gjithashtu mund të çojë në çrregullime të elektroliteve, të cilat rrisin rrezikun për ritme të rrezikshme të zemrës. Për më tepër, sëmundja e veshkave lidhet me ngurtësimin e përshpejtuar të arterieve, gjë që mund të çojë në infarkte.