Bota

Shokuese/Antarktida humbi akull sa 10 qytete si Los Angeles në 30 vite!

Antarktida po përballet gjithnjë e më shumë me pasojat e ndryshimeve klimatike, ndërsa një studim i ri tregon për humbje të mëdha të akullit gjatë tre dekadave të fundit. Shkencëtarët nga Universiteti i Kalifornisë analizuan imazhe satelitore të mbledhura gjatë 30 viteve dhe zbuluan se kontinenti ka humbur një sasi të madhe akulli. Sipas tyre, nëse kjo sasi do të shtrihej në tokë, do të mbulonte një sipërfaqe sa dhjetë herë qyteti amerikan Los Angeles.

Rezultatet e studimit të publikuara në revistën shkencore Proceedings of the National Academy of Sciences tregojnë se zonat më të prekura janë Antarktida Perëndimore, Gadishulli Antarktik dhe disa pjesë të Antarktidës Lindore. Në këto rajone janë shkrirë rreth 5 mijë milje katrore akull i lidhur me tokën që nga viti 1996. Hulumtimi përfshin gjithashtu një hartë të detajuar të vijës së ashtuquajtur grounding line, pika ku akulli ndahet nga shkëmbi dhe fillon të lundrojë mbi oqean. Kjo vijë konsiderohet një nga treguesit më të rëndësishëm për të matur stabilitetin e shtresave të mëdha të akullit.

Sipas studiuesve, rreth 77 për qind e vijës bregdetare të Antarktidës mbetet relativisht e qëndrueshme. Megjithatë, në zonat më të rrezikuara akulli po tërhiqet me shpejtësi, duke humbur mesatarisht rreth 170 milje katrore çdo vit. Shkencëtarët theksojnë se në Antarktidën Perëndimore erërat e forta po shtyjnë ujë të ngrohtë të oqeanit poshtë akullnajave, duke i shkrirë ato nga poshtë. Kjo krijon atë që studiuesit e quajnë plagët më të mëdha të kontinentit.

Një mister mbetet Gadishulli Antarktik, ku akulli po tërhiqet edhe pse nuk është vërejtur prani e ujërave të ngrohta që zakonisht shkaktojnë shkrirje. Antarktida është një nga faktorët kryesorë në rritjen globale të nivelit të detit. Akullnaja Thwaites, e njohur edhe si Doomsday Glacier, tashmë kontribuon rreth 4 për qind në rritjen totale të nivelit të oqeaneve. Sipas studiuesve, nëse shtresa e akullit në Antarktidën Perëndimore do të shembej plotësisht, niveli global i detit mund të rritej deri në rreth 9 këmbë, duke krijuar pasoja serioze për shumë zona bregdetare në botë.