Aktualitet

Shoqërohet Adriatik Alimadhi, policia jep detaje: Nuk zbatoi urdhrat e efektivëve!

Kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, është shoqëruar mbrëmjen e djeshme nga Policia e Tiranës, pasi ka kundërshtuar punonjësit e policisë.

Në një video të ndarë nga Flamur Noka, dallohet edhe momenti i shoqërimit të Alimadhit nga forcat e policisë në ambientet e një lokali në rrugën e Dibrës.

Policia informon se kreu i Ballit Kombëtar ka kundërshtuar verbalisht dhe fizikisht, si edhe ka tentuar të largohet nga ambienti, pavarësisht kërkesës për të qëndruar në vendin ku ndodhej, deri në përfundim të procedurës.

Blutë raportojnë se kontrolli u ushtrua nga shërbimet e Policisë në lokal pas informacioneve të marra se në këtë ambient ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit dhe basteve sportive.

Njoftimi i plotë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 61 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.

Ky shtetas dyshohet se, gjatë një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një lokal në rrugën e “Dibrës”, me qëllim verifikimin e informacionit se në këtë ambient ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit dhe basteve sportive, ka refuzuar të zbatojë urdhrat e punonjësve të Policisë, duke i kundërshtuar verbalisht dhe fizikisht dhe ka tentuar të largohet nga ambienti, pavarësisht kërkesës për të qëndruar në vendin ku ndodhej, deri në përfundim të procedurës.

Në lidhje me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ka nisur veprimet verifikuese, bazuar në pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale dhe pretendimet e paraqitura nga shtetasi në fjalë, njofton policia e Tiranës.