Një studim i fundit shkencor ka shpallur emrin grek Sofia si emrin më të bukur në botë. Hulumtimi është kryer nga Dr.Bodo Winter, linguist kognitiv në Universitetin e Birminghamit, i cili analizoi 100 emra për të vlerësuar bukurinë fonetike, ritmin dhe rezonancën emocionale. Sipas tij, emri “Sofia” u rendit vazhdimisht më lart për shkak të bashkëtingëlloreve të buta, zanoreve harmonike dhe tingullit melodioz që mbart.
Përveç tingullit të këndshëm, emri ka edhe një domethënie të thellë kulturore dhe filozofike. “Sofia” vjen nga fjala greke “σοφία” (sofía), që do të thotë “urti dhe lidhet ngushtë me idealet e lashta greke dhe me perëndeshën Athena, simbol i urtësisë dhe strategjisë. Në fillimet e krishterimit, emri mori rëndësi të veçantë përmes Shenjtores Sofia e Romës, një martire e shekullit të dytë.
Forma të ndryshme të këtij emri si Sophia, Sophie, Sofie e të tjera janë të dashura në të gjithë botën për shqiptimin universal, trashëgiminë e pasur dhe lidhjen e tyre me inteligjencën dhe hijeshinë. Bukuria e tij e përjetshme pasqyrohet edhe në monumente historike si Aja Sofia në Stamboll, simbol i trashëgimisë ortodokse greke.
Ndërkaq, prindërit në Japoni nuk do të kenë më liri veprimi mbi emrat që u vendosin fëmijëve të tyre, pas futjes së rregullave të reja mbi shqiptimin e karaktereve kanji. Ndryshimi është hartuar për të ndaluar përdorimin e emrave kirakira (me shkëlqim ose vezullues) që janë përhapur midis prindërve duke shpresuar t’u shtojnë një lustër krijuese emrave të fëmijëve të tyre.
Ndërsa rishikimet në aktin e regjistrit familjar nuk ndalojnë kanji, karaktere me bazë kineze në japonishten e shkruar, prindërit duhet të informojnë autoritetet lokale për leximin e tyre fonetik, në një përpjekje për të zhdukur shqiptimet e pazakonta ose të diskutueshme. Do të lejohen vetëm interpretimet e njohura zyrtarisht të karaktereve kanji, pasi qeveria kërkon t’i japë fund konfuzionit që emrat e çuditshëm mund të shkaktojnë në shkolla, spitale dhe shërbime të tjera publike.