Aktori i serialit të njohur “Nip/Tuck”, Dylan Walsh, 61 vjeç, ka kaluar momente të frikshme këtë fundjavë pasi u përfshi në një aksident automobilistik së bashku me familjen e tij në Rumson, New Jersey.
Mediat amerikane raportojnë se makina e tyre, një “Ford Explorer 2022”, ka humbur kontrollin ndërsa po udhëtonte në drejtim të veriut rreth orës 17:00.
Automjeti ka devijuar papritur në korsinë e kundërt dhe është përplasur fillimisht me një shtyllë elektrike, përpara se të godiste edhe një tjetër shtyllë shërbimi, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Në automjet ndodheshin pesë persona, mes tyre edhe aktori. Dy prej pasagjerëve u dërguan në “Riverview Medical Center” për kontroll mjekësor, pasi ndjenin dhimbje pas goditjes, por fatmirësisht të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.
Deri më tani, policia nuk ka bërë të ditur se kush ishte në drejtimin e mjetit.
Në një deklaratë për “Page Six”, familja e Walsh shprehu falënderime për ndërhyrjen e shpejtë të policisë, zjarrfikësve dhe personelit shëndetësor.
Ngjarja ndodh pak javë pas lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta të aktorit Julian McMahon, koleg dhe partner i tij në serialin “Nip/Tuck”, i cili vdiq në moshën 56-vjeçare pas një beteje me kancerin.