Aktualitet

Shqipëria me ritmet më të ulëta të rritjes së Investimeve të Huaja Direkte në rajon vitin e kaluar!

Investimet e Huaja Direkte në vendin tonë ishin në rritje vitin e kaluar, por ritmi ishte më i ngadaltë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti për Studime Ndërkombëtare i Vjenës (wiiw), Shqipëria regjistroi një rritje të lehtë të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) vitin e kaluar, duke arritur në 1,58 miliardë euro, nga 1,5 miliardë euro më 2023-shin, me rritje vjetore prej rreth 5.7%.

Ajo që bie në sy për Shqipërinë është rritja e fortë e riinvestimeve të fitimeve, të cilat u zgjeruan nga 137 milion euro më 2017-ën, në 852 milion euro më 2024-ën, një tregues i mirëbesimit të investitorëve ekzistues. Në të kundërt, investimet përmes kapitalit të ri ranë nga 808 milion euro në vitin 2017 në 709 milion më 2024-ën.

Në të njëjtin vit, Serbia arriti të tërheqë 5,2 miliardë euro ose 14% më shumë se në vitin 2023, më shumë se të gjitha vendet e tjera të rajonit të marra së bashku. Rritja ishte veçanërisht e theksuar në investimet e reja që shkuan në 2.5 miliardë euro dhe në riinvestimet e fitimeve (1.587 milion euro). Roli i instrumenteve të borxhit është më i lartë se në çdo vend tjetër me rreth 1,055 milion euro në vitin 2024.

Maqedonia e Veriut tërhoqi 1,2 miliardë euro në vitin 2024 me rritje vjetore 117%. Maqedonia e Veriut shënoi një rritje të fortë më 2024-ën, me IHD-të që pothuajse u dyfishuan në një vit. Pati rritje të ndjeshme në ri-investimet e fitimeve nga 139 më 2023-shin në 255 milion euro në vitin 2024, por edhe në investimet e reja përmes kapitalit, që arritën në 314 milion euro.

Mali i Zi  tërhoqi 553 milion euro më 2024-ën, pavarësisht madhësisë së vogël të tregut dhe popullsisë me rritje vjetore 14%. Edhe Bosnja dhe Hercegovina tërhoqi mbi 1 miliard euro investime të huaja vitin e kaluar, me rritje vjetore 6.2%, si rrjedhojë e infrastrukturës dhe politikave fiskale që po ndikojnë në orientimin e kapitalit ndërkombëtar drejt vendit.

Brenda grupit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6), Shqipëria zë vendin e dytë pas Serbisë për investimet e huaja në vlerë. Totali i IHD-ve në rajon arriti në 10,4 miliardë euro në vitin 2024, një rritje domethënëse nga 8,9 miliardë euro në vitin 2023. Shqipëria kontribuon me rreth 15% të totalit rajonal.

Raporti i wiiw thekson se në vitin 2024, sektorët me më shumë projekte të reja investimesh në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore ishin shërbimet e IT-së dhe energjia e rinovueshme. Megjithatë Shqipëria nuk ka përfituar në mënyrë të ndjeshme nga këto dy sektorë strategjikë.

Raporti vë në dukje se rritja e IHD-ve në Shqipëri vijon të mbështetet kryesisht te ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, sektorë që nuk kontribuojnë në rritjen e produktivitetit dhe as në modernizimin e ekonomisë.

Edhe pse Shqipëria ka ruajtur një trend të lehtë rritjeje në tërheqjen e investimeve të huaja në vitin 2024, performanca e saj mbetet më modeste në krahasim me rajonin, si në vlerë ashtu edhe në strukturën e investimeve. Analiza tregon se Shqipëria ende gjendet në një pozicion të dobët për të përfituar nga tendencat më të fundit në ekonominë globale, si teknologjia, energjia e gjelbër dhe prodhimi inteligjent.

Për të kaluar nga një ekonomi e udhëhequr nga ndërtimi, në një ekonomi të qëndrueshme dhe eksportuese, vendit tonë i sugjerohet të përmirësojë klimën e biznesit, të garantojë siguri ligjore për investitorët dhe të zhvillojë kapitalin njerëzor përmes arsimit profesional e teknologjik./Monitor