Aktualitet

Shqiptarët po i blejnë makinat nga Koreja e Jugut, e para për importet më 2024-ën!

Për herë të parë, Koreja e Jugut është bërë vendi nga ku u importua pjesa më e madhe e makinave që kanë hyrë dhe janë regjistruar në Shqipëri vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), për herë të parë, më 2024-ën u regjistruan 18.8 mijë automjete që e kishin origjinën nga Koreja e Jugut, duke kaluar në shtetin më të madh importues, me 19% të totalit.

Në krahasim me vitin 2024, mjetet nga Koreja e Jugut, mëse u dyfishuan, me një rritje prej 124%. Dy vjet më parë, nga ky shtet blerjet ishin minimale me rreth 1.2-1.5 mijë mjete në vit. Më parë, dy shtetet nga importoheshin më shumë mjete ishin Italia dhe Gjermania. Por, nga 2023-shi, shqiptarët kanë zbuluar një destinacion të ri, që ofron makina më ekonomike, pavarësisht kostove më të larta të transportit.

Në vend të dytë për regjistrimet ka zbritur Italia, me 17.8 mijë, ose 18% të totalit. E treta është Gjermania, me po 17.8 mijë automjete. Më pas renditet Zvicra (9.3 mijë), Shtetet e Bashkuara (6.9 mijë) dhe Kina (5.9 mijë). Gjithsej, më 2024-ën u regjistrua për herë të parë një numër rekord i mjeteve prej 99.4 mijë, me një rritje prej 27.5% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave nga DPSHTRR.

Pse po rriten automjetet nga Koreja e Jugut

Makinat e përdorura nga Koreja e Jugut vijnë me një çmim dukshëm më ekonomik se të Europës e që skeptikët e cilësojnë se vjen si efekt i standardeve më pak strikte të mjeteve se ato në BE. Një tjetër argument është kostoja më e lirë e krahut të punës.

Pavarësisht dilemave duket se importet nga Koreja e Jugut mbeten tejet aktive dhe çmimet e leverdishme po nxisin shqiptarët të orientohen gjithmonë e më shumë drejt tyre. Mënyrat e blerjes janë dy: ose duke porositur online dhe duke i paguar agjencisë tarifën e inspektimit dhe transportit ose duke blerë direkt nga agjencitë një mjet të siguruar prej tyre.

Sipas mediave koreane, ka një rritje të ndjeshme të eksporteve të makinave të përdorura.

Dërgesat dalëse të makinave të pasagjerëve të përdorura arritën në 4.44 miliardë dollarë në vitin 2023, duke u rritur me 66% nga një vit më parë, referuar të dhënave të përpiluara nga Shoqata e Eksportit të Makinave të Përdorura të Koresë. Sa i përket njësive të shitura, shifra arriti në 555,549, duke u rritur me 68% gjatë periudhës.

Makinat me benzinë ​​zënë pjesën më të madhe prej 67,5%, të ndjekura nga makinat me naftë, me 30,3% dhe modelet hibride me 1,3%. Eksportet e makinave hibride arritën gjithashtu një rekord të ri, me eksportet e tyre që u rritën 82% në krahasim me vitin 2023, në 124.2 milion dollarë, shkruan Korea Times./Monitor