Shuhet në moshën 82-vjeçare, Aneta Rama. Lajmin e ndarjes nga jeta të nënës së tij e dha vetë kryeministri në “FB” me një postim të ndjerë ku shkruan: “Ishe drita dhe guri këndor i shtëpisë ku u rritëm e u bëmë burra, e ku mbetëm gjithnjë fëmijë. E di, që deri sa të shoh dot diellin e yjet do të jesh me mua, e bukur dhe e fortë si askush. Do të na mungosh shumë, por asgjë më shumë nuk bëje dot për ne sesa e pamundura që bëre plot përkushtim gjithë jetën, prandaj prehu në paqe mam”, – shkruan Edi Rama. Ndër stomatologet e para në vend, në 2018-ën, Aneta Rama u vlerësua me titullin “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare”.
Për shkak të situatës nga COVID-i, kryeministri dhe vëllai i tij shkruajnë se përulësisht u luten familjarisht për mirëkuptim të gjithë të afërmve e miqve të mirë, për pamundësinë e pritjes së ngushëllimeve e të ceremonisë së përcjelljes së nënës së tyre në banesën e fundit. Kjo në kushtet e detyrimit për të respektuar rregullat e mbrojtjes së shëndetit të gjithësecilit. “I falenderojmë të gjithë për mesazhet prekëse që vazhdojnë ta na vijnë për humbjen e nënës sonë të shtrenjtë dhe e vlerësojmë shumë respektin e mirëkuptimin e kujtdo që do të donte të ishte edhe fizikisht pranë nesh në këtë ditë të vështirë. Edi dhe Olsi Rama”, – përfundon mesazhi.