Bota

Shuhet stilisti i njohur italian, Adriano Goldschmied!

Adriano Goldschmied, stilisti italian i njohur si “kumbari i denimit”, ka vdekur në moshën 82-vjeçare. Lajmi për vdekjen e tij u raportua të dielën nga mediat e modës në Itali dhe ndërkombëtarisht. Pas markave ikonike si Diesel, Replay, Gap 1969, AG Adriano Goldschmied dhe Goldsign, emri i tij mbeti i lidhur ngushtë me lindjen e asaj që sot njihet si premium denim, një segment që ai e ndihmoi ta krijojë dhe ta bëjë global.

Rruga e Goldschmied në botën e modës nisi në fillim të viteve 1970, kur një mik e bindi të shiste xhinse të importuara pranë një klubi nate të njohur. Më pas, ai hapi dyqanin e tij të parë, King’s Shop, në qytetin alpin Cortina d’Ampezzo, duke iu drejtuar një klientele ndërkombëtare dhe të pasur, në kërkim të veshjeve të rralla dhe ndryshe. Në vitin 1974, ai themeloi markën Daily Blue, një etiketë që solli prerje të reja, ngjyra të reja dhe mbi të gjitha një çmim më të lartë, duke ndihmuar që xhinset të hynin në territorin e modës dizajnerike.

Vetë Goldschmied do të thoshte më vonë se Daily Blue ishte e rëndësishme jo vetëm për suksesin tregtar, por sepse pati një ndikim të fortë në industrinë e modës, në një kohë kur “moda e denim-it” sapo po lindte. Megjithëse nuk kishte trajnim formal në dizajn, Goldschmied nuk e pa këtë si pengesë. Përkundrazi, eksperimentimi u bë pjesë e ADN-së së tij krijuese.