Lifestyle

Si mbajtja e një sistemi të jashtëm ndihmon trurin dhe ul stresin?

Në një botë ku mbingarkesa e informacionit është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë, koncepti i “second brain”, truri i dytë, po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet. Por ky nuk ka të bëjë me teknologji të avancuar apo ndonjë strukturë të dytë biologjike. Bëhet fjalë për një sistem të jashtëm organizimi ku individët ruajnë idetë, mendimet, projektet, referencat dhe gjithçka tjetër që përndryshe do të mbushte mendjen e tyre.

Koncepti është i thjeshtë, në vend që të përpiqesh të mbash mend çdo gjë, nga takimet, deri tek idetë spontane apo librat për të lexuar, i vendos në një vend të organizuar, zakonisht në aplikacione si Notion, Obsidian, Evernote apo edhe një fletore klasike. Ky sistem shërben si një arkiv personal ku mendja shkarkohet nga informacioni i tepërt dhe ka më shumë hapësirë për krijimtari.

Sipas studimeve nga University of California:

Njerëzit që praktikojnë këtë sistem raportojnë më pak stres dhe një përmirësim të ndjeshëm të fokusit, pasi nuk përjetojnë më frikën e “harresës” ose ndjesinë e vazhdueshme që po lënë diçka pas dore.

Ky “truri i dytë” nuk është thjesht për profesionistët, ai po përdoret gjithnjë e më shumë nga studentë, artistë, sipërmarrës dhe çdo individ që dëshiron të jetojë më qartë dhe më qëllimisht. Ai lejon rikthimin e ideve në mënyrë strukturuar, ndihmon në zgjidhjen e problemeve dhe nxit reflektimin më të thellë. Në thelb, kjo praktikë është një akt vetëkujdesi për mendjen, një mënyrë për ta liruar nga presioni i mbajtjes së gjithçkaje dhe për ta kthyer atë në atë për çfarë është krijuar për të menduar, jo për të ruajtur. Në një kohë kur truri ynë është nën presion konstant, ndërtimi i një “second brain” është si të krijosh një vend të qetë ku gjithçka ka vendin e vet dhe asgjë nuk humbet.