Health & Beauty

Si mund të rezultojë negativ testi i shtatzënisë, edhe kur jeni shtatzënë?

Mund të duket e pabesueshme, por ka raste kur një grua është realisht shtatzënë, por testi i shtatzënisë rezulton negativ.

Ky fenomen i rrallë njihet si “efekti i goditjes me grep” dhe është shkaktuar nga nivele jashtëzakonisht të larta të hormonit hCG.

Një grua ndau përvojën e saj në një forum për prindër, duke treguar se nuk e kishte konfirmuar shtatzëninë deri në tremujorin e dytë – ndonëse kishte simptoma të qarta si të vjella dhe ndalim të menstruacioneve.

Në javën e 17-të të shtatzënisë bëra si testin e urinës, ashtu edhe atë të gjakut – por të dy dolën negativë

-rrëfen ajo. Sot ajo është nëna e një djali 13 muajsh.

Një tjetër grua tregoi për platformën australiane “Kidspot” se nuk kishte marrë asnjëherë një rezultat pozitiv në testet e shtatzënisë për asnjë nga tre shtatzënitë e saj, edhe pse të gjitha kanë përfunduar me lindje të suksesshme.

Çfarë është “efekti i goditjes me grep”?

Sipas mjekëve, ky fenomen ndodh kur nivelet e hormonit hCG – që prodhohet nga placenta gjatë shtatzënisë – janë aq të larta, saqë ndërhyjnë në mekanizmin e testit të shtatzënisë.

Normalisht, molekulat e hCG-së lidhen me antitrupa të posaçëm në test (njëri për ta sinjalizuar dhe tjetri për ta kapur), duke prodhuar një rezultat pozitiv.

Megjithatë, kur hCG-ja është në sasi të tepërta, mund të “mbingarkojë” sistemin e testit, duke mos lejuar lidhjen e duhur të antitrupave.

Kjo ndërprerje në procesin kimik çon në një rezultat të rremë negativ – ndonëse gruaja është në të vërtetë shtatzënë.

Fenomeni është më i zakonshëm në shtatzënitë me binjakë apo më shumë fëmijë, për shkak të niveleve shumë më të larta të hormonit hCG që qarkullon në organizëm.

Mjekët këshillojnë që në raste të dyshimta, sidomos kur ekzistojnë simptoma klasike të shtatzënisë, testet e shtatzënisë të përsëriten pas disa ditësh ose të kërkohet një ekzaminim me ultratinguj, për të marrë një konfirmim të sigurt.

Ky fenomen rrallë ndodh, por tregon edhe një herë se, edhe në botën moderne të mjekësisë, trupi i gruas mund të ketë mënyra të papritura për të sfiduar teknologjinë e testimit.