Ekspozimi i fëmijëve ndaj lojërave online me përmbajtje dhune po përbën një kërcënim të madh për shëndetin mendor dhe emocional të tyre. Disa nga lojërat më të preferuara të fëmijëve janë ato që përmbajnë dhunë, si “Roblox”, “Call of Duty”, dhe “Free Fire”.
Një grup fëmijësh të kryeqytetit ka shpërndarë mendimet e tyre për këto lojëra. Ata kanë pohuar se preferojnë lojëra si “Call of Duty”, ku qëllimi është të përdorësh armë për të eliminuar zombie. Megjithatë, disa prej tyre kanë theksuar se janë të vetëdijshëm për rreziqet që mund të vijnë nga përmbajtjet e tilla dhe janë të kujdesshëm në përdorimin e lojërave, duke përmendur se luajnë më shumë “Roblox”.
Psikologët vlerësojnë se ky ekspozim i vazhdueshëm ndaj dhunës online ka pasoja të rënda për zhvillimin e fëmijëve. Ata theksojnë se fëmijët shpesh përvetësojnë sjellje të dhunshme nga personazhet e lojërave, duke i përzier ato me realitetin dhe duke krijuar një perceptim të gabuar mbi normat e sjelljes. Eriola Bigdani, psikologe, thekson se:
Qëndrimi për kohë të gjatë para lojërave me përmbajtje dhune çon në normalizimin e dhunës, që përfshihet në sjelljet e përditshme të fëmijëve.
Lojërat elektronike ndikojnë gjithashtu në zhvillimin emocional të fëmijëve, duke ulur vetëbesimin dhe aftësinë e tyre për të krijuar lidhje emocionale të shëndetshme. Bigdani shpjegon se:
Në këto lojëra, fitorja nuk është gjithmonë e garantuar, dhe kjo mund të sjellë pasiguri dhe ulje të vetëbesimit. Po ashtu, loja ul ndjeshmërinë e fëmijëve ndaj emocioneve si dashuria dhe afeksioni.
Psikologët bëjnë thirrje për një ndërgjegjësim të mëtejshëm nga prindërit dhe mbështetje për monitorimin e aktiviteteve online të fëmijëve të tyre. Ata sugjerojnë kufizimin e ekspozimit ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme dhe nënvizojnë rëndësinë e mbështetjes së fëmijëve në ndërtimin e një psikologjie dhe emocionimi të shëndetshëm.