Tech Top Tech - News

Si po ndryshojnë botën teknologjitë më të përfolura të momentit?!

Teknologjitë më të përfolura të momentit, si inteligjenca artificiale, realiteti virtual dhe jo vetëm po transformojnë mënyrën si jetojmë dhe punojmë. Këto teknologji nuk po ndryshojnë thjesht botën, por po krijojnë një të ardhme të re dhe më të ndërlidhur. Mateo Kadriu“Top Tech” ka prezantuar disa nga risitë më të pabesueshme të teknologjisë që lidhen direkt me ne në jetën tonë të përditshme.

AI Generated Videos

Kur sheh një video online: A është reale, apo është thjesht AI që luan me ty? “S’duhet t’u besosh më syve të tu!” Ky është mendimi i parë kur shikon një AI Generated Video, që duket më reale se vetë realiteti. Sot, edhe gjyshja mund të bëjë një video të atillë, që të bën të ndihesh fajtor pse nuk po i shkon për vizitë.

Nga politikanë që “rrëfejnë” skandale, deri tek videot perfekte të TikTok që të bëjnë të dyshosh për atë që shikon, dhe të shtyjnë të mendosh: “Ore, po më bëjnë sytë mua apo është AI që po më vë në lojë?” Dhe pyetja tjetër që pason: Argëtuese apo e frikshme?

Nëse shikohet si argëtim, le të imagjinojmë një video ku t’i po bën një intervistë me Kendall Jenner. Po ana e frikshme? Çfarë ndodh kur lajmet dhe videot fake fillojnë të ndikojnë në zgjedhje politike, të përçajnë shoqërinë dhe të krijojnë panik?

Shembujt janë të shumtë: një lider botëror shfaqet në video duke bërë deklarata të pavërteta, ose siç ishte rasti i president amerikan Donald Trump, ku fotot e arrestimit të tij bënë xhiron e rrjetit.

Industria e filmave dhe reklamave po përfiton gjithashtu: skena të pamundura tani janë të realizueshme, me efekte të pabesueshme dhe buxhete të ulëta falë Inteligjences artificiale.

E vërteta? Po jetojmë në një epokë ku çdo pamje që sheh mund të jetë një iluzion i AI-së. Dhe po, ndoshta edhe kjo që ju po dëgjoni ose shikoni, mund të mos jetë bërë nga unë, por nga një robot.

Nëse një video duket shumë e çuditshme për të qenë e vërtetë, atëherë ndoshta nuk është. Mos beso gjithçka që shikon dhe mos harro: AI po luan me ne – dhe në universin e teknologjisë së avancuar, mund të jesh ti preja e rradhës.

Scent Teleportation

Imagjino sikur je i ulur në divan me telefonin në dorë. Bie zilja dhe njëkohëshit telefoni lëshon aromën e një pice të sapo dalë nga furra. Jo, nuk është fantazi – po flasim për “Scent Teleportation”. Teknologjinë revolucionare që përdor analiza për të kapur një aromë, ta shndërrojë në të dhëna dixhitale dhe ta riprodhojë kudo në botë.

Kompania Osmo tashmë po krijon një bibliotekë të aromave, duke përdorur pajisje të çuditshme dhe robotë. Rezultati? Një lule qershie në Japoni mund të nuhatet në dhomën tënde – pa kaluar në 100 dogana! Interesante kjo…

Përtej shkencës, mendoni çdo ndodhë me industrinë e parfumeve: Tani mund të shkarkoni aromën më të fundit nga një aplikacion apo të provoni parfumin më të ri nga shtëpia. Gjithashtu e kemi më të lehtë për të bërë blerje, pasi miqtë mund të na japin mendime nga larg.

Po për romatikët?! Kjo mund të ndryshojë edhe mënyrën si flirtojmë: nga dërgimi i një emoji me zemra, në “provo këtë aromë, po mendoj ta marr për ty!”. Pra, ky është fundi i SMS-ve të zakonshme dhe fillimi i një revolucioni aromatik. Nuhat dhe bëj zgjedhjen tënde!

Robotët Humanoid në Fabrikën e BMW

Imagjino një fabrikë ku robotët punojnë krah për krah me njerëzit, duke ndarë ndonjëherë një “pauzë kafeje” dhe duke montuar makina me precizion milimetrik. Jo, nuk është një skenë nga filmi i ardhshëm i Marvel-it, por realitet në fabrikën e BMW në Spartanburg, Karolina e Jugut.

BMW ka nisur testimin e robotëve Figure 02 – robotë të avancuar me më shumë aftësi se sa një njeri i zakonshëm. Këta robotë me peshë 70-kilogram janë gati të ngrejnë 20 kg pa u ankuar për dhimbje shpine! Puna e tyre? Montimi i pjesëve të makinave me një saktësi që ndoshta as vetë shefi yt nuk e ka.

Çfarë i bën këta robotë kaq të veçantë? Gishtat e tyre janë të aftë për të luajtur dhe në piano, kanë sensorë të avancuar, komunikim zanor dhe bateri që mbajnë më shumë karikim sesa telefoni yt pas 10 orëve në TikTok.

BMW iFACTORY – vizioni për fabrikën e së ardhmes – synon jo vetëm efikasitet dhe dixhitalizim, por edhe qëndrueshmëri. Robotët humanoidë si Figure 02 jo vetëm që e bëjnë punën më të lehtë për njerëzit, por edhe më të sigurtë, duke u marrë me detyra të lodhshme.

Ka njerëz që bëjnë ironi në internet: Po nëse robotët punojnë pa pushim, a do të arrijë një ditë që ata të kërkojnë rritje page? Dhe: A do të kemi një ekip futbolli robotësh në fabrikë, që të luajmë kalçeto me to fundjavave?

Google AI Avatars: Kur NPC-të bëhen më shumë se thjesht kod

Imagjino një lojë, ku banorët e qytetit nuk janë më thjesht në rol dytësor, por aktorë të vërtetë të saj. Me Google AI Avatars, NPC-të (personazhet jo-lojtarë) kanë evoluar nga figura të parashikueshme në karaktere që të befasojnë. Falë fuqisë së Vertex AI dhe teknologjive të avancuara gjeneruese, këta avatarë mund të ndërveprojnë me lojtarët në mënyrë mahnitëse.

Me këtë teknologji, NPC-të nuk ndjekin më rregulla të përcaktuara nga krijuesit e lojës. Ata mund të kujtojnë ndërveprime të mëparshme, të zhvillojnë “marrëdhënie” me lojtarët dhe madje të krijojnë histori autentike në varësi të zhvillimeve në lojë. Mendoni për një skenar ku një NPC ju përshëndet: “Më kujtohet kur më çove me makinë në aeroport javën e kaluar.” A nuk është ky një ndryshim që e bën botën virtuale të duket më reale?

Google AI Avatars përdorin algoritme të avancuara për të gjeneruar dialogë dhe reagime në kohë reale, duke përfshirë emocione dhe ton realist. Në lojëra si GTA 6, kjo do të thotë që çdo ndërveprim do të jetë unik dhe i papërsëritshëm. NPC-të nuk janë më thjesht spektatorë – ata janë bashkëkrijues të historisë tënde në lojë.

Nëse nuk e keni parë filmin “FREE GUY” duhet ta shikoni patjetër sepse Ryan Reynolds është treguesi më i mirë se si do zhvillohet kjo gjë në lojërat e ardhshme.

Samsung Galaxy Ring: Teknologjia që të tregon se sa i lodhur je… edhe kur s’ke bërë asgjë

“Kur unaza jote inteligjente di më shumë për shëndetin tënd sesa vetë mjeku yt.”

Mirë se vini në epokën ku edhe unazat po bëhen më të zgjuara se shumica prej nesh. Samsung ka hedhur në treg Galaxy Ring, një unazë inteligjente që premton të monitorojë shëndetin tuaj nëpërmjet gishtit. Dhe jo, nuk është një unazë magjike që ju bën të zhdukni faturat e dritave, por gjithsesi është interesante të mendosh dhe kështu.

Galaxy Ring është e përbërë nga titani – një material i qëndrueshëm që të jep ndjesinë e luksit, edhe pse xhepi yt mund të mos jetë aq i kënaqur me çmimin që ka. Disponohet në disa ngjyra që të bëjnë të dukesh mirë, edhe kur je duke monitoruar gjumin e shkatërruar nga TikTok-u.

E pajisur me sensorë shumë të avancuar, Galaxy Ring mat gjithçka: rrahjet e zemrës, gjumin, aktivitetin fizik dhe madje edhe temperaturën. Të gjitha këto të dhëna lidhen me aplikacionin Samsung Health, ku mund të marrësh raportin e plotë të shëndetit tënd, duke përfshirë të gjithë ata hapa që nuk I ke bërë sot.

Dhe ja ku vjen pjesa më e mirë: bateria zgjat deri në 7 ditë! Po, kjo unazë ka më shumë jetëgjatësi sesa lidhjet e shumicës së njerëzve në epokën e Gen-Z.

Por prit, ka një por… Galaxy Ring funksionon vetëm me telefonat Android. Pra, nëse je përdorues i iPhone-it, Samsung do të të thoshte “kjo s’është për ty, Bro”. Për më tepër, disa përdorues kanë raportuar se matja e oksigjenit në gjak është paksa e vështirë. Ndoshta sepse edhe unaza e ndien presionin e gjithë kësaj përgjegjësie shëndetësore.

Kjo unazë nuk e ka fuqinë të të japë jetën perfekte, por të paktën mund të të kujtojë të pish më shumë ujë. Dhe kjo është më shumë se ç’mund të bëjë shumica prej nesh për veten.

Rimac Nevera R: Hipermakina Elektrike që Thyen Rekorde dhe Xhepat

Nëse mendon se makinat elektrike janë të ngadalta, Rimac Nevera R vjen si një shuplakë elektrike në fytyrë. Me 2,107 kuaj fuqi kjo makinë arrin nga 0 në 100 km/h në vetëm 1.74 sekonda. Po, e dëgjove saktë – më shpejt se sa mund të thuash “shpejtësi”.

E pajisur me një bateri të avancuar 108 kWh, Nevera R ofron më shumë energji. Kjo do të thotë se mund të shijosh shpejtësinë ekstreme pa u shqetësuar për ndalesa të shpeshta për karikim. Me një kapacitet karikimi deri në 500 kW, koha e karikimit është aq e shkurtër sa që ska kohë as për një kafe.

Nevera R nuk është vetëm një makinë; është një inovacion. Aerodinamika e saj është aq e avancuar sa duket sikur sfidon fizikën. Çdo linjë e saj është projektuar për të maksimizuar shpejtësinë dhe për të reduktuar rezistencën ndaj erës, duke e bërë të duket më shumë si një makinë që do të fluturojë sesa të vozisë. Dhe për ata që kanë dëshirë për personalizim, Rimac ofron opsione ekskluzive që e bëjnë çdo makinë unike. Po yjet e Rolls Royce? Sja vendos dot.

Kjo hipermakinë është projektuar jo vetëm për të ecur shpejt në rrugë, por edhe tek pistat. Nevera R vjen e pajisur me një sistem të avancuar elektronik që monitoron dhe rregullon performancën në kohë reale, duke siguruar kontroll të jashtëzakonshëm edhe në shpejtësi ekstreme.

Nëse kërkon kombinimin e teknologjisë më inovative, shpejtësitë ekstreme dhe dizajnin elegant, Rimac Nevera R është kulmi i inovacionit në industrinë automobilistike. Megjithatë, mos harro: shpejtësia e saj mund të të lërë pa frymë, ndërsa çmimi i saj mund të të lërë pa para.

Disney HoloTile

Imagjino një botë ku mund të ecësh lirshëm, pa pasur frikë se do të përfundosh duke rrëzuar vazon e gjyshes.

Me Disney HoloTile (I cili është tapet i avancuar për VR dhe që duket sikur ka dalë nga ndonjë film i “Iron Man”), mund të ecësh në çdo drejtim në metaverse, dhe po, të ndihesh si në një ëndërr teknologjike.

HoloTile përbëhet nga pllaka me disqe rrotulluese që praktikisht të “gënjejnë” trurin, duke të mbajtur në të njejtin vend, ndërkohë që ti mendon se po bën një turne nëpër botën e Harry Potter-it. Në thelb, tapeti “zhbën” çdo hap që hedh, duke të mbajtur gjithmonë në qendër. Dhe më e bukura kush është? Ky tapet mund të përdoret nga më shumë se një person njëkohësisht. Sepse, po, Disney ka menduar edhe për ty që preferon të bësh ndeshje boksi në VR në vend që të vritesh në realitet.

Mund të mendosh: “Si mund të përdoret përveçse në lojëra?” Disney thotë se kjo teknologji ka potencial të përdoret në performanca teatrale, trajnim sportiv dhe ndoshta për të simuluar se si është të vraposh pas ëndrrave që kurrë nuk i arrin.

Si çdo gjë magjike, HoloTile është ende në fazë eksperimentale, kështu që mos fillo të kursesh për të. Por fakti që Disney po investon në një teknologji të tillë do të thotë se, në të ardhmen, mund të kemi një botë ku VR është më e vërtetë se vetë realiteti – dhe ndoshta më e sigurt se të ecurit në rrugë me celular në dorë.

Robotët Katërkëmbësh

“Kur qeni yt robotik jo vetëm që të lë pas në vrapim, por edhe të kujton të pish vitaminat.”

Në maratonën e fundit në Hangzhou (Kinë), robotët katërkëmbësh B2 dhe Go2 na dhanë një mësim të hidhur: teknologjia jo vetëm që po na zë vendin në zyrë, por tani edhe në pistën e vrapimit. Këto krijesa futuristike jo vetëm që mbajtën ritmin pa u djersitur por edhe monitoruan temperaturën, dhuruan të dhëna të dobishme dhe transportuan furnizime mjekësore. Nëse kjo nuk është një mënyrë elegante për të të thënë që je i zëvendësueshëm, atëherë s’di ç’të të them.

Ndërkohë, Boston Dynamics vazhdojnë të prodhojnë robotin “Spot”. Policia e Nju Jorkut (NYPD) e përdor Spot për të eksploruar zona të rrezikshme, për të inspektuar ndërtesa dhe ndoshta për të shmangur ndonjë punë të vështirë vetë.

Është gjithashtu mjeshtër ndërtimi, duke monitoruar zona të paarritshme nga njerëzit, ndërsa ti ende po përpiqesh të montosh një pemë krishlindjesh.

Robotët si B2, Go2 dhe Spot po tregojnë se mund të jenë më shumë se thjesht lodra teknologjike të shtrenjta. Ata mund të bëjnë gjithçka, nga ndihma në sporte e deri te shërbimet publike. A do ja besonit ruajtjen e shtëpisë Spotit?

Rabbit R1: Asistenti AI që e fut në xhep (dhe nuk të ankohet kurrë)

A ke menduar ndonjëherë si do ishte të kishe një asistent personal që nuk të pyet: “Pse nuk e bëre vetë këtë punë?” Epo, më në fund e kemi gjetur: Rabbit R1, lepuri teknologjik i cili s’rri thjesht në xhepin tënd, por gjithashtu të ndihmon të mbash dhe jetën nën kontroll. Dhe po, është më i vogël se një smartphone, por më i zgjuar dhe më pak dramatik.

Rabbit R1 është si një mik që kurrë nuk të harron ditëlindjen ose faturën që duhet paguar. Vjen me një ekran 2.8 inç, një slider navigimi retro që të kujton MP3 player-at e dikurshëm, dhe një kamerë që kthehet 360 gradë me rezolucion 8 MP. Kjo kamer është ideale për video-call, skanime dokumentesh, ose për të bërë selfie pa u trembur që ke harruar filtrat.

Ky lepur i vogël nuk të zhgënjen, nuk të vonon dhe nuk të thotë “më fal, po kam shumë punë sot”. Plus, nuk të ngacmon për filmin që e ke parë për të pestën herë. Në fakt, Rabbit R1 ndoshta është më i dobishëm se disa nga miqtë e tu… dhe këtë e them me dashamirësi. Ai është shoku i shkëlqyer që gjithmonë ke dashur – vetëm se nuk të kërkon asgjë në këmbim.

U8

Imagjinoni një fuoristradë që jo vetëm përballon terrene të vështira, por edhe lundron në ujë si një varkë. Jo, nuk është skenë nga një film James Bond, por realiteti i çmendur i BYD U8.

Në raste emergjente, U8 mund të qëndrojë mbi ujë për deri në 30 minuta dhe të lëvizë me shpejtësi deri në 3 km/h. Pra, herën tjetër që qyteti juaj bëhet si Venecia, thjesht hipni në SUV-në tuaj dhe bëhuni kapiteni i anijes. Me mbi 1,100 kuaj fuqi të ndara në katër motorë elektrikë, U8 mund të bëjë manovra si kthimi 360 gradë në vend, i njohur si “tank turn”. Kështu, parkimi në hapësira të ngushta është aq e lehtë sa mund ta bëjë dhe një fëmijë.

Dizajni që të bën të ndihesh mbret i rrugës. Me një gjatësi prej 5.3 metrash, U8 është ndërtuar për të përballuar kushtet më të ashpra. Dhe me teknologjinë e baterive “Blade” të BYD, siguria dhe performanca janë të garantuara. Për ata që kërkojnë një automjet që kombinon luksin, performancën dhe aftësinë për të përballuar çdo sfidë, Yangwang U8 është zgjedhja ideale. Kjo SUV synon të rivalizojë markat e njohura si Land Rover dhe Mercedes-Benz në tregun kinez.