Mbajtja e një qëndrimi të duhur trupor është thelbësore për një jetë më të plotë dhe për të shmangur pasoja negative shëndetësore si dhimbje qafe dhe shpine. probleme me frymëmarrjen, performancë të dobët fizike, probleme me tretjen, lodhje muskulore. “Gjatë jetës sonë, nyjet dhe ligamentet tona bëhen më pak elastike dhe më pak të përshtatshme ndaj qëndrimeve të këqija trupore, gjë që përfundimisht mund të çojë në shtypje të nervave ose palcës kurrizore, tolerancë të ulët ndaj aktivitetit fizik dhe dhimbje kronike”-tha Praveen Mummaneni, neurokirurg i shtyllës kurrizore në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko.
Qëndrimi i mirë jo vetëm që ju ndihmon të shmangni këto probleme, por sjell përfitime si përmirësim të koordinimit, balancë më të mirë, më shumë energji, përqendrim dhe aftësi njohëse më të mira dhe vetëbesim të rritur. “Qëndrimi i duhur ndihmon në shpërndarjen e barabartë të peshës trupore, çka është shumë e rëndësishme, sepse kur pesha shpërndahet siç duhet, sistemi muskulor dhe skeletor qëndron në përputhje të saktë duke e bërë funksionimin e trupit më efektiv, me më pak stres mbi kyçe e kocka, dhe konsum më të ulët të tyre”, pohon Laura Deon, specialiste e mjekësisë fizikale dhe rehabilitimit në RUSH University Medical Center, Çikago.
Për të kuptuar qëndrimin e mirë, duhet të dini se shpina nuk ka pse të jetë plotësisht e drejtë pavarësisht sa shpesh mund t’ju kenë thënë në fëmijëri të “qëndroni drejt” ose “uluni drejt”. “Shpina ka një hark natyral”, shpjegon Brook Martin, profesor në Universitetin e Utah. Kur shikoni shtyllën kurrizore nga ana, ajo duhet të ketë një hark prapa në pjesën e poshtme të shpinës, një hark përpara në pjesën e sipërme të shpinës dhe sërish një hark pas në qafë. “Kjo strukturë i mundëson kokës të jetë në qendër të qafës dhe bustit të jetë i vendosur drejt mbi ijë, pozicionimi ideal për qëndrim të mirë”, shton Mummaneni.
Në pozicion ulur mbani këmbët të sheshta mbi dysheme; këndi midis gjunjëve dhe ijeve të jetë më i madh se 90 gradë; parakrahët të mbështeten në tavolinë ose mbështetëset e karriges; shpatullat lehtë poshtë dhe pak drejt brendësisë; veshët dhe koka në vijë me shpatullat. Në pozicion në këmbë, këmbët hapur sa gjerësia e shpatullave; gjunjët jo të ngurtësuar; ijet dhe gjunjët në një vijë; shpatullat pak poshtë dhe mbrapa; veshët në një vijë me shpatullat; pesha trupore e shpërndarë në mënyrë të barabartë në të dyja këmbët.
Qëndrimi i mirë sjell përfitime të shumta të vërtetuara, përfshirë më pak rrezik për dëmtime gjatë aktivitetit fizik; më pak tension në muskuj, kocka dhe nyje; më pak dëmtime nga stresi fizik i përsëritur; balancë më të mirë; më shumë energji. Ekspertët gjithashtu pohuan se pozicionimi i duhur i trupit ndihmon në parandalimin e hemorroideve, duke ndihmuar në problemet po ashtu të qarkullimit si dhimbje koke nga tensioni.