Midis angazhimeve në punë, takimeve, detyrimeve familjare dhe jetës sociale, shtimi i stërvitjes në rutinën e përditshme shpesh duket si një sfidë e madhe. Kjo ndodh veçanërisht pas periudhave festive, kur “pushimi” nga aktiviteti fizik zgjatet më shumë se ç’është planifikuar.
Nëse dëshironi të riktheheni në palestër, por po hasni vështirësi, ja disa këshilla të vlefshme nga trajneri personal Nikos Chrysafis për një rifillim të suksesshëm dhe pa stres.
1. Mos e gjykoni veten për pushimin
Mos u ndëshkoni për kohën që keni kaluar pa stërvitje. Nuk ka rëndësi se kur do të ishte momenti ideal për rifillim – momenti i duhur është tani. Shumë njerëz përpiqen të kompensojnë kohën e humbur me stërvitje të gjata dhe intensive, por kjo shpesh çon vetëm në lodhje ose dëmtime. Përqendrohuni në një ritëm të qetë dhe të qëndrueshëm.
2. Mos u fiksoni pas peshës
Edhe nëse nuk jeni në formën që dëshironit, matja e vazhdueshme e peshës mund të sjellë vetëm stres dhe zhgënjim. Ky stres mund të çojë në ushqim për ngushëllim, duke e vështirësuar më shumë rikthimin. Pranojeni gjendjen aktuale dhe vendosni qëllime realiste. Gjithashtu, shmangni pajisjet që matin kaloritë ose aktivitetin fizik në mënyrë të pasaktë, pasi ato mund të shkaktojnë më shumë frustrim sesa përfitim.
3. Filloni me ndryshime në dietë
Para se të nisni stërvitjen intensive, fokusohuni në ushqyerjen e shëndetshme. Konsumoni më shumë ujë, fruta dhe perime, sigurohuni që të merrni proteina të mjaftueshme në çdo vakt dhe kufizoni ushqimet e përpunuara dhe alkoolin.
4. Ecni hap pas hapi
Mos u përpiqni të bëni gjithçka menjëherë. Nisni me 10 minuta ecje në ditë gjatë javës së parë dhe rritni gradualisht kohën çdo javë. Nëse jeni më përvojë, rifilloni me stërvitje të shkurtra 10-15 minutëshe. Po ashtu, përfshihuni në aktivitete me fëmijët ose miqtë – kjo mund të jetë një mënyrë argëtuese për t’u rikthyer në formë.
5. Kujdesuni për pushimin dhe rigjenerimin
Pushimi është thelbësor për rikuperimin. Bëni shtrirje pas stërvitjes, merrni pushime të shkurtra gjatë aktivitetit dhe përdorni metoda relaksimi si dushi i ngrohtë ose masazhi i lehtë për të ndihmuar trupin të rikuperohet. Gjumi i mirë dhe shmangia e vakteve të rënda para gjumit janë gjithashtu çelësa për sukses. Mos harroni të pini ujë gjatë gjithë ditës dhe kujdesuni për trupin tuaj në mënyrë të vazhdueshme.