Lifestyle

Si të shkëputesh nga ekranet për një gjumë më të mirë?!

Çdo natë para gjumit, truri ynë ka nevojë të çlodhet dhe të hyjë gradualisht në gjendjen e qetësimit. Një nga pengesat më të mëdha të gjumit cilësor është ekspozimi ndaj dritës blu nga ekranet e telefonave, kompjuterëve apo televizorëve. Këtu hyn koncepti i “Digital Sunset”, një praktikë gjithnjë e më popullore, që nxit shkëputjen nga teknologjia së paku 60 minuta para gjumit.

Kjo praktikë jo vetëm që redukton stresin e akumuluar gjatë ditës, por edhe nxit prodhimin e melatoninës, hormonit të gjumit. Për të aplikuar “Digital Sunset”, filloni duke vendosur një orar fiks kur fikni të gjitha pajisjet dixhitale. Gjatë këtij orari mund të angazhoheni me aktivitete si leximi i një libri, shkrimi në ditar, joga e lehtë apo meditimi. Mund të krijoni gjithashtu një atmosferë relaksuese me ndriçim të ngrohtë, muzikë ambientale dhe pije qetësuese si çaji i kamomilit.

Kjo shkëputje nga teknologjia është e dobishme edhe për shëndetin mendor. Largimi nga rrjetet sociale dhe lajmet stresuese të mbrëmjes ndihmon që truri të mos mbingarkohet dhe të hyjë në gjendje reflektimi e pushimi. Personat që e zbatojnë rregullisht “Digital Sunset” raportojnë gjumë më të thellë, zgjim më të freskët dhe nivele më të ulëta të ankthit.

Filloni gradualisht me 15-30 minuta shkëputje dhe rriteni kohën javë pas jave. Praktika bëhet pjesë e rutinës dhe pas disa ditësh, do të vini re ndryshimin qoftë në gjumë, qoftë në disponim. “Digital Sunset” është mjeti i thjeshtë dhe efektiv për ata që dëshirojnë të rikthejnë balancën mes teknologjisë dhe jetës personale.