Aktualitet Lifestyle

Si të shmangni izolimin social kur punoni nga shtëpia!

Punonjësit në distancë përballen gjithnjë e më shumë me ndjesinë e izolimit. Sipas raportit Gallup 2024, 1 në 5 të punësuar ndihen shpesh të vetmuar, ndërsa 23% e punonjësve totalisht në distancë e konsiderojnë vetminë si sfidën e dytë më të madhe.

Kjo nuk është vetëm një çështje emocionale, mungesa e lidhjeve shoqërore ndikon në shëndetin mendor, shton ankthin, pagjumësinë dhe lodhjen, ndërsa për kompanitë sjell më pak angazhim dhe më shumë largime nga puna. Ja si mund të përballoni izolimin gjatë punës nga shtëpia:

1. Vendosni kufij fizikë dhe kërkoni ndërveprim njerëzor

Ndryshoni ambientin të paktën një ditë në javë – punoni në një kafene, bibliotekë ose hapësirë të përbashkët për të ndjerë energjinë shoqërore. Shfrytëzoni fleksibilitetin për të kaluar kohë me familjen, fqinjët apo për shëtitje gjatë pushimit të drekës, ndërveprimet e vogla ndikojnë ndjeshëm në mirëqenie.

2. Përdorni teknologjinë për lidhje kuptimplota

Zgjidhni video-telefonatat për diskutime të rëndësishme – ndihmojnë në shmangien e keqkuptimeve dhe përforcojnë lidhjet personale. Regjistroni mesazhe me video për feedback apo shpjegime dhe angazhohuni në organizime jonformale si “virtual coffee”. Edhe një telefonatë mund të jetë më efektive sesa një e-mail i gjatë.

3. Ndërtoni lidhje sociale në vendin e punës

Bashkohu në grupe të brendshme në Slack/Teams për interesa të përbashkëta si librat apo prindërimi. Propozoni aktivitete si dreka virtuale apo këshilla produktiviteti. Merrni pjesë në aktivitetet sociale të kompanisë – edhe nëse janë vullnetare – dhe bisedoni me kolegët për tema joprofesionale për të ndërtuar lidhje reale.

4. Ruani kufijtë midis jetës personale dhe punës

Krijoni një hapësirë të dedikuar për punë dhe krijoni zakone, si p.sh. shëtitje pas pune. Planifikoni aktivitete pas orarit të punës, që të mos zvarriteni në detyra të pafundme. Kujdesuni për shëndetin mendor dhe fizik përmes ushtrimeve, gjumit të mirë dhe aktiviteteve me të tjerët.

5. Promovoni një kulturë gjithëpërfshirëse pune në distancë

Mundohuni që mbledhjet të jenë në orare tëpërshtatshme edhe për kolegët në distancë dhe sugjeroni aktivitete sociale për ta. Kërkoni mundësi zhvillimi profesional dhe përfitime të barabarta për punonjësit në distancë (si mbështetje për hapësira bashkëpunimi apo buxhet për pajisje).

Izolimi social gjatë punës në distancë mund të parandalohet me veprime të qëllimshme. Ndërtimi i lidhjeve përmirëson jo vetëm mirëqenien tuaj por edhe performancën dhe rritjen profesionale. Këto strategji janë më efektive kur zbatohen së bashku dhe përshtaten me nevojat që ndryshojnë me kohën. / shqip.al