Bota Botë e Çuditshme

Sinjali misterioz 7 miliardë vite dritë larg arrin Tokën, shkencëtarët pa përgjigje!

Një sinjal misterioz ka arritur në planetin tonë nga një pikë e largët e hapësirës, rreth 7 miliardë vite dritë larg, një fenomen që ka befasuar madje edhe shkencëtarët. Sipas një njoftimi të bërë nga “Science Alert”, një ekip astronomësh ka zbuluar shpërthimin e quajtur FRB 20190208A, që vjen nga një galaktikë e vogël dhe që ndodhet rreth më shumë se gjysmës së Universit të dukshëm.

Ky sinjal ka një prejardhje “të pazakontë”, për të cilin ende nuk ka asnjë shpjegim në tokë. “Shumica e galaktikave që strehojnë shpërthime të shpejta që duken janë galaktika masive me formim yjesh, çka mund të nënkuptojë se shumica e tyre prodhohen nga supernova”, shpjegon astronomi Danté Hewitt nga Universiteti i Amsterdamit. Aktualisht, shkencëtarët ende nuk janë të sigurt se çfarë i shkakton këto shpërthime, por mund të vijnë nga një rajon ku formohen yje, nga mbetje të supernova-s, apo nga rajone të brendshme shumë të dendura të një galaktike.

Ndërkaq, astronomët kanë pikasur një sinjal misterioz radiofonik, të cilit iu deshën 8 miliardë vite për të mbërritur në Tokë. Ai është një prej sinjaleve më të largët dhe me më shumë energji që ka arritur deri në planetin tonë përgjatë viteve. Këto sinjale radiofonike janë të fortë dhe zgjasin zakonisht me milisekonda, ose një e njëmijta e sekondës. Sinjali i parë i tillë është zbuluar në vitin 2007 dhe që prej asaj kohe, qindra të tillë janë kapur nga pika të ndryshme të universit.

Sipas studimit të botuar në revistën “Science”, sinjali më i fundit, i emërtuar FRB 20220610A, zgjati më pak se një milisekond, por lëshoi energji të barasvlershme me atë që lëshon dielli përgjatë 30 viteve. Shumë prej këtyre sinjaleve zhduken menjëherë pas valëve që lëshojnë, çka e bën të vështirë gjurmimin dhe studimin e tyre. Teleskopët radiofonikë kanë ndihmuar astronomët në këtë proces, duke arritur të zbulojnë origjinën e sinjaleve.