Rajoni

Situata në Kosovë, SHBA: Në tehun e thikës!

Zv.këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jon Finer tha se në Ballkanin Perëndimor, situata e sigurisë mbetet “një shqetësim i madh për Shtetet e Bashkuara”.

I ftuar për të diskutuar çështje të ndryshme globale në Institutin Ndërkombëtar “Chatham House”, me seli në Londër, Finer u pyet edhe për gjendjen në Ballkanin Perëndimor, ndikimin rus dhe atë kinez në rajon e mbi konfliktin e pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai deklaroi:

Ekzistojnë dy vija kryesore ndarëse për të cilat jemi më të shqetësuar se për të tjerat në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, theksoi se presidenti Joe Biden mbetet i përkushtuar në çështjet e sigurisë së këtij rajoni që nga koha kur kryesonte Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Njëra është situata në Kosovë, një aleate thelbësore e Shteteve të Bashkuara, që është në tehun e thikës.

Finer shtoi:

Sa i përket Kosovës, është qëndrim amerikan që ajo duhet të jetë edhe sovrane edhe të respekojë komunitetet pakicë të cilat ekzistojnë përbrenda asaj që është një Kosovë sovrane.

Ndër të tjera, zyrtari amerikan kujtoi se këto janë çështje që administrata e Presidentit Biden është angazhuar “t’i menaxhojë, shpesh nën radar përmes diplomacisë së kujdesshme përgjatë tërë (mandatit) të kësaj administrate” dhe se ato mbesin sfida, të cilat duhet vëzhguar dhe ku situata vazhdon të jetë shqetësuese.

Po ashtu, tjetër shqetësim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë rajon “është ndarja e mundshëm,” e Bosnjës, “ku të paktën njëri nga udhëheqësit, Millorad Dodik, të paktën në formë retorike bën ndjekjen e një agjende që apelon lidhur me shpërbërjen e shtetit, të cilin ne e kundërshtojmë fuqishëm.

Finer deklaroi se Shtetet e Bashkuara besojnë që “nuk ka qasje më të mirë se (Marrëveshja) e Dejtonit për të ruajtur paqen në Bosnjë”. Jon Finer bëri një përmbledhje të diplomacisë amerikane në 4 vitet e drejtimit të presidentit Biden.